Nagavci takon drejtorët komunalë të arsimit: 80 mijë aplikime për libra, paratë në llogari para 1 shtatorit

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci i ka siguruar drejtorët komunalë të arsimit se mjetet për librat pritet t’iu deponohen në llogari prindërve të fëmijëve para 1 shtatorit.

Zotimin ajo e dha gjatë takimit që pati me ta të martën, ku u diskutua për përgatitjet e fillimit të vitit të ri shkollor 2023/24.

Siç thuhet në njoftimin e MASHTI-t, Ministrja Nagavci bëri të ditur se deri tani në portalin e-kosova janë pranuar rreth 80,000 aplikime në platformën e cila do të jetë e hapur deri në fund të muajit shtator.

“Lidhur me një nga sfidat kryesore në të cilën kanë hasur prindërit -aplikimi online për fëmijët që mbushin 6 vjeç pas 1 shtatorit, ministrja i siguroi se këto dhe të tjera ankesa po trajtohen me seriozitet dhe përkushtim nga ekipet mobile. Ajo thekoi se komunat tashmë janë informuar që shkollat mund të bëjnë përzgjedhjen e titujve të teksteve, të cilat mësuesit duhet t’i ndajnë me prindërit para fillimit të procesit mësimor”, bën të ditur nga Ministria.

Nagavci po ashtu tha se shtëpitë botuese kanë konstatuar se ka tekste të mjaftueshme dhe nuk do të ketë probleme me furnizimin e librarive.

“Gjatë këtij takimi u diskutua edhe për fillimin e mësimit dual në 8 profile të reja, për Udhëzimet Administrative të ndryshuara dhe plotësuara, dhe çështje të tjera lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor”, thuhet në njoftimin ministror.