Nagavci tregon arsyet e shkarkimit të drejtorëve të Qendrës së Studentëve, të Inspektoratit të Arsimit dhe të Institutit Pedagogjik

Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka dhënë një përgjigje në lidhje me vendimet që ka marrë MASHTI ditë më parë për shkarkimin e Fatmir Sfishtës nga pozita e drejtorit të Qendrës së Studentëve, Defrim Gashit nga detyra e drejtorit të Inspektoratit të Arsimit dhe shkarkimin e Nezir Çoçajt nga pozita e drejtorit të Institutit Pedagogjik të Kosovës.

Ministrja Nagavci, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se këta persona janë emëruar në këto pozita me akt-emërime të paligjshme.

“Të tre këta zyrtarë të lartë që janë në këto pozita të rëndësishme është gjetur që janë emëruar në këto pozita me akt-emërime të paligjshme në kohën kur janë emëruar në këto pozita. Janë tri vendime të ndryshme, të tria të nënshkruara nga i njëjti ish-sekretar i Ministrisë së Arsimit, të tri në kundërshtim me legjislacionin edhe në atë kohë pra jo tani”, ka thënë Nagavci.

“Janë caktuar zyrtarë në pozita të larta me akt-emërim me pozitë të përhershme. Që të tri këto pozita janë pranuar në konkurs në pozitë më të ulët dhe pastaj me akt-emërim janë vendosur në pozita të larta dhe njëkohësisht u janë vendosur si pozita të përhershme, pra pozitë që vazhdon deri në pensionim”, ka thënë Nagavci.

Sipas saj, prej koeficientit 10 të tre këta persona kanë kaluar në koeficientin 16.

“Në momentin që unë jam vënë në njohuri që këta janë jashtëligjshëm në këto pozita në të cilat janë, natyrisht përveç shqyrtimit të bazës ligjore nga ana jonë si ministri kemi kërkuar opinion në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike sepse është Departamenti për zyrtarët publikë që ka obligim t’i shqyrtojë këto pozita si pozita të larta dhe me kërkesën tonë na kanë kthyer një opinion që e dëshmon që të tre janë emëruar jashtëligjshëm në këto pozita. Në momentin që unë jam vënë në njohuri të marrjes së informatës që është bërë shkelja e ligjshmërisë kam bërë obligim që të marr vendime të cilat i kam marrë”, ka shtuar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci./Kallxo.com