Napoli nuk e merr për ndeshjen me Barcelonën, Hysaj këtë javë zyrtarizohet tek skuadra e re

Elseid Hysaj po i numëron ditët e tij të fundit te Napoli.

Mbrojtësi shqiptar i ka bërë të qartë klubit se dëshiron të largohet dhe Napoli duket se ia ka plotësuar këtë dëshirë.

Napolitanët për ta lënë të lirë shqiptarin janë duke kërkuar 25 milionë euro, ndërsa interesimet për të nuk mungojnë.

Klubi italian ka udhëtuar drejt SHBA-së për ndeshje miqësore në International Champions, ku do të përballen me Barcelonën.

Mediat italiane kanë raportuar se me klubin nuk ka udhëtuar Hysaj që pritet gjatë javës të prezantohet te skuadra e re.

Për shkodranin interesim kanë shfaqur Juventus, Roma dhe skuadra angleze Tottenham Hotspur.

Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e reprezentuesit shqiptar, ndërsa ekipi favorit për ta marrë atë mbetet Roma./Telegrafi/