NCEU i reagon Bislimit: Etiketimet janë kundër frymës së dialogut dhe vlerave evropiane

Konventa Kombëtare e Bashkimit Evropian (NCEU) i ka reaguar zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Një ditë më parë, Bislimi kritikoi emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçakut për siç tha rolin e tij të padrejtë në dialog, meqë nuk ka sqaruar fare se një takim i zhvilluar një ditë më parë, bëhej fjalë për NCEU-në në Serbi.

Lidhur me këtë, NCEU theksoi në reagim se etiketimi i organizatave të shoqërisë civile nga Bislimi është kundër frymës së dialogut, kundër vlerave evropiane dhe parimeve demokratike.

“Prandaj, konsiderojmë se sjellja e tij duhet të dënohet nga Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të Quinti”.

“Konventa Kombëtare e Bashkimit Evropian është një rrjet i organizatave të shoqërisë civile që është i pavarur në punën e saj dhe nuk përfaqëson pikëpamjet e asnjë organi shtetëror, organizatë dypalëshe apo ndërkombëtare”.

“Grupi i Punës për Kapitullin 35 po punon në mënyrë aktive për të monitoruar, përmirësuar dhe promovuar procesin e dialogut të normalizimit, si dhe pajtimin ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij serb. Ne nuk e shohim Dialogun si një rivalitet mes dy palëve armiqësore, por si një proces që duhet të mundësojë paqe të qëndrueshme, një jetë më të mirë për të gjithë njerëzit pa dallim kombësie apo etnie, si dhe prosperitet për të gjithë rajonin. Puna e Grupit Punues është e hapur për publikun dhe nga rezultatet tona përfitojnë të gjithë pjesëmarrësit në dialog, përfshirë z. Bislimi”, thuhet në reagim.