LDK dhe AAK reagojnë pas arrestimeve të anëtarëve të PSD-së

Policia e Kosovës ka arrestuar sot tetë persona në aksionin që ka zhvilluar Partia Socialdemokrate në Prishtinë, kundër “tiketave ngjitëse”.

E reagimi i anëtarëve të PSD-së ka nxitur reagime nga partitë opozitare.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot kishte dhunë, dhunë policore ndaj kundërshtarëve politik.

“Pushteti që i ka krejt po sillet i vogël përballë kritikuesve politik.Pamjet e sotme sjellin dëshpërim. U jap të drejtë e mbështetje protestuesve të sotëm pa hezitim. Kritika e tyre është e drejtë. Bëhet kundër një plaçke publike – barrë e paarsyeshme për secilin qytetar në vend. Një kompanie tre punëtorëshe i jepet dhuratë 2 milionëshe nga pushteti që mirëmbanë avazin korruptiv”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Më tej, ai ka thënë se “si Ministër i Infrastrukture kisha refuzuar të nënshkruaja një kontratë të tillë”.

“Sepse ishte shpërdorim i panevojshëm i parasë publike. E ftoj prokurorinë – që të ndërpresë misionet me direktiva politike para zgjedhjeve lokale – se s’i bëjnë punë; e të hetojnë këtë shpërdorim 2 milionësh që ju ndodhë para syshë. Mos keni frikë nga asnjë pushtet”, vijon reagimi i tij.

Kurse, deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se sot po arrestohen shokët e deridjeshëm të Albin Kurtit.

“Keq shumë keq! Shokët e deridjeshëm të Albinit arrestohen në këtë formë me urdhër të Xhelal ministrit. Arrestohen për mendimet dhe aksionet e tyre politike”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyçi ka thënë se dhuna e ushtruar sot ndaj grave dhe të moshuarit, nga Policia e Kosovës duhet dënuar nga institucionet.

“Qeveria aktuale ka qenë me vite kundërshtuese e fyese ndaj Policisë dhe shtetit në protesta të tilla. Sot ata shikuan nga dritaret, portalet apo nga vija bregdetare si ndonjë pjesë filmi. Grupi i grave deputete, presidentja dhe të gjitha shoqatat e grave duhet të reagojnë ndaj një gjesti të tillë ndaj një gruaje. Shtetit duhet të reagojë në situata të tilla dhe duhet dënuar një vepër e tillë, ushtruar ndaj protestuesve dhe të na dëshmoj që jemi të lirë dhe jo një shtet i uzurpuar”, është shprehur deputetja Bytyçi.Lexo po ashtu:

Ndryshe, Partia Socialdemokrate (PSD) ndërmori një aksion mesditën e sotme në hapësirat pranë ndërtesës së qeverisë, saktësisht te ish-objekti i “Rilindjes” për të kundërshtuar “tiketat ngjitëse”, ndërkaq tetë nga personat pjesëmarrës në këtë aksion janë arrestuar.