Ndalet blloku A3, reduktimet nisin nga ora 24:00

Kriza energjetike në Kosovë duket se nuk do të marrë fund për një kohë të gjatë. Pas stabilizimit të përkohshëm me furnizim, pas mesnatës së sotme, saktësisht në orën 24:00, do të nxirret nga funksioni edhe blloku A3 i Termocentralit “Kosova A”.

Demokracia.com ka mësuar se me ndaljen e punës së këtij blloku, Termocentrali “Kosova A” nuk do ta ketë në funksion asnjë njësi.

Ndalja e punës së bllokut A3, siç ka mësuar Demokracia.com, po bëhet për shkak të një rrjedhje dhe pas mesnatës së sotme janë planifikuar edhe reduktime në shumicën e komunave të Kosovës, por kjo po vazhdon të mbahet fshehur nga ana e KEK-ut.

Demokracia.com ka tentuar të flasë me zëdhënësin e KEK-ut, Skënder Bucollin, për ta pyetur rreth nxjerrjes jashtë funksionit të A3-shit dhe reduktimeve të planifikuara, mirëpo ai nuk është përgjigjur në telefon dhe as nuk ka kthyer SMS.