Ndërron jetë vogëlushja nga Vushtrria, Suela Duraku

Pak ditë para se të fillojë viti i ri shkollor 2021-2022 një lajm i hidhur ka përfshirë mbarë arsimin e Vushtrrisë, ku pas një sëmundje të rëndë është ndarë nga jeta në moshën 11 vjeçare Suela Duraku, nxënëse e dalluar e shkollës “Liria” të Strofcit në Komunën e Vushtrrisë.

“Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurës suaj dhe nxënëses sonë të dalluar, Suela Duraku. Andaj, më lejoni që në emër të gjithë nxënësve, mësimdhënësve dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.Suela ishte nxënëse e dalluar me një edukatë të pashoq, e respektuar, fjalëpak dhe e dashur për të gjithë” , thuhet ndër të tjera në njoftimin e drejtorisë së shkollës, transmeton Fokusi.info.

“Vdekja e saj është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, por edhe për shoqërinë e saj, neve si shkollë, e po ashtu edhe për shoqërinë, për faktin se Suela do të ishte një doktoreshë e suksesshme, një mësuese e mirë, një psikologe e ndoshta edhe një astronaute.Andaj, edhe një herë pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta.I lehtë i qoftë dheu i Kosovës dhe pushoftë në paqe!”, thuhet në njoftim.

Varrimi i voglushes është bërë sot në ora 18:00 në varrezat e reja të Strofcit.