Ndihma e Shqipërisë me ekip infermierësh, jehonë në median italiane

Mbërritja e ekipit me 60 infermierë shqiptarë sot në Itali, u komentua nga shumë medie italiane si një gjest solidariteti nga një vend i vogël, por me zemër të madhe.

“Sot mbërritën në Fiumicino një grup prej 60 infermierësh shqiptarë, një tjetër ndihmë për të mbështetur spitalet tona”, shkruan në faqen e saj të internetit “Agenzia Nova”.

“Solidariteti nga përtej Adriatikut vazhdon të manifestohet me ardhjen e 60 infermierëve shqiptarë”, hapi lajmin e saj “TrapaniOggi”.

“Vetëm pak javë nga ardhja e grupit të parë me 30 mjekë e infermierë nga toka e Shqiponjave, Shqipëria rinovon angazhimin e saj të miqësisë kundrejt Italisë”, thekson gazeta online për shëndetin “AssoCareNews”.

“Infermierët shqiptarë të ardhur sot do të nisen për në rajonin e Marche-s. Do të shkojnë të shpëtojnë jetët e bashkëqytetarëve tanë dhe do të lehtësojnë mjekët tanë”, shkruan “Cosenza Channel” duke cituar Di Maio-n.