Shërohen edhe nëntë pacientë me koronavirus

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar edhe për 51 raste të reja me Covid-19 në Kosovë, ndërkaq ka njoftuar se janë shëruar edhe nëntë pacientë.

“Sot më 19 prill 2020, janë shëruar edhe nëntë (9) pacient, bazuar në rekomandimet e OBSH-së ku dy mostra rezultojnë negative me së paku një ditë distancë kohore. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej njëqind e dy (102)”, bëhet me dije në njoftimin e IKSHPK-së.

Nga data 8 shkurt deri më 19 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 4.656 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej pesëqind e gjashtëdhjetë e një (561) me dymbëdhjetë (12) raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.