Ndihma për Covid-19/ Rama kritikon Vuçiç: Presidenti serb luan me 3 porta

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kritikuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç, i cili tha se në Bashkimin Evropian nuk ka solidaritet, ndërsa vendi i tij, e po ashtu edhe shtete të tjera të Ballkanit po kalojnë një moment të vështirë për shkak të koronavirusit.

“Nëse për Presidentin e Serbisë ka tre porta, një BE, një Kina dhe një Rusia, për ne ka vetëm një portë, ajo e bashkësisë euro-atlantike, Be dhe SHBA. Për Presidentin e Serbisë është një arsye për polikë të brendshme për të ngritur në qiell Kinë dhe ulur BE. Nga pikëpamja faktike, BE është mbështetja jonë më e madhe e pandryshueshme.

Nga pikëpamja e situatës aktuale, siç po e shohim të gjithë, të gjitha vendet janë kapu gafil nga ky agresion i një armiku të padukshëm, ka bërë atë që nuk e ka bërë asnjë armik i dukshëm. Ka mbyllur brenda njerëzit. Është e natyrshëm që në këtë fazë të parë, vendet të jenë duke filluar ët marrin veten nga një shok i vërtetë dhe kjo është arsyeja pse kanë reagua me vonesë.

BE hap pas hapi do të unifikohet dhe jam i bindur se kur BE të jetë unifikuar dhe të ketë një qasje më të qartë në strategjinë afatmesme të kësaj lufte, nuk do të na lërë vetëm, por në strategjinë afatshkurtër jemi vetëm dhe kemi vetëm njëri-tjetrin”, tha Rama në “Open”.