Ndryshe nga Atiq, Ugljanin thotë se trysnia ndërkombëtare e shtyu vendimin për lirimin e objektit në veri

Trysnia ndërkombëtare për të mos pasur tensione pak ditë para takimit të nivelit të lartë në Bruksel, sipas kryesuesit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, ka qenë arsyeja kryesore e shtyrjes së vendimit për lirimin e objektit komunal që shfrytëzohet nga strukturat ilegale të Serbisë, e jo arsyetimi i dhënë nga kryetari i kësaj komune, Erden Atiq, se vendimi është shtyrë deri në pranimin e Raportit nga Inspektorati Komunal.

Sipas Uglajnin komuniteti ndërkombëtar ka bërë trysni të madhe që të premten situata të mos eskalonte.

“Gjithë ditën kam qenë në vendin e punës. Dhe vendimi për lirimin e objektit ka qenë nën përcjellje të ndërkombëtarëve tërë ditën, ka pasur përfaqësues të KFOR-it, EULEX-it. Ka qenë edhe trysnia nga ndërkombëtarët që ka ndikuar në shtyrjen e vendimit, sidomos pasi bisedimet janë në Bruksel dhe për të mos eskaluar situata. Arsyeja kryesore pse u shty është trysnia nga ndërkombëtarët”, ka thënë ai në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Komuna e Mitrovicës së Veriut, të premten pasdite, e ka shtyrë për herë të dytë ekzekutimin e vendimit për largimin e strukturave paralele të Serbisë nga hapësirat e objektit komunal në “Lagjen e Boshnjakëve”, i cili i takon Komunës.

Në njoftimin e Atiq, arsyetimi për shtyrjen e vendimit për herë të dytë ka qenë një raport që e ka kërkuar nga Inspektorati komunal në afat prej 15 ditësh.

Siç thuhej në vendimin e publikuar nga Atiq, Inspektorati komunal obligohet që të faktojë rrethanat dhe arsyet e përdorimit të objektit në fjalë, “që mblidhen përmes vizitave në terren dhe komunikimin me të gjitha palët”.

Njoftimi i bërë nga i pari i Komunës së Mitrovicës Veriore, kishte ardhur vetëm pak orë pasi që Visar Syla, këshilltari i tij kishte pohuar se nuk ka shtyrje të “ultimatumit” ndaj strukturave paralele për të liruar objektin e kontestuar në Lagjen e Boshnjakëve, shkruan AP.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës, kishte njoftuar të premten se Komuna e Mitrovicës së Veriut, nuk i ka kërkuar asistim për largimin e punonjësve të administratës serbe nga ai objekt, të cilat janë mbyllur brenda që nga nata e mbrëmshme.

Punonjësit serbë të ashtuquajturës Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, të ashtuquajturës Drejtoria e Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, të ashtuquajturës Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe të ashtuquajturës Qendra për Punë Socialetë, pas përfundimit të orarit të premten nuk kishin shkuar në shtëpi, por kishin qëndruar në ndërtesën e kontestuar.

Një aksion për largimin e këtyre institucioneve të Serbisë nga objekti komunal në Mitrovicë të Veriut, fillimisht ishte paraparë të zhvillohej më 25 gusht, por ishte shtyrë për dy javë.

Para kësaj, inspektorati komunal u kishte dërguar këtyre institucioneve një paralajmërim që të lironin zyrat pasi ato nuk kishin dorëzuar dokumente apo kontrata për të dëshmuar se kanë leje ta shfrytëzojnë objektin.

Bashkimi Evropian kishte konsideruar se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut për largimin e institucioneve ilegale serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve është në

kundërshtim me përpjekjet për de-eskalimin e situatës në Veriun e vendit dhe uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Zëdhënës i BE-së, Peter Stano, në një deklaratë për media është shprehur i shqetësuar për ndikimin që mund të kenë në situatën e sigurisë në pjesën Veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe vendimet e fundit të autoriteteve lokale për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave komunale.

Në këtë drejtim, zëdhënësi i BE-së ka nënvizuar ndër të tjera se për çështjen e strukturave ilegale të udhëhequra e financuara nga Serbia, duhet të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Vendimi për ndërtesën komunale në Mitrovicën e Veriut u kontestua edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës e cila të mërkurën bëri me dije se vendimi i autoriteteve lokale të Mitrovicës së Veriut, për lirimin e një ndërtese komunale nga personat që punojnë për administratën e Serbisë, nuk është marrë në koordinim me bashkësinë e organizuar ndërkombëtare.