Ndryshojnë rregullat e kolaudimit të automjeteve, zgjatet afati për secilën kategori

Kontrolli teknik i automjeteve nuk do vazhdojë të jetë me koncesion. Ky shërbim do t`i kalojë shtetit dhe me disa ndryshime që lehtësojnë drejtuesit e automjeteve. Kryeministri Rama ka renditur gjithë ndryshimet në statusin e tij në Facebook.

“Me përfundimin në dhjetor të koncesionit absurd të kontrollit teknik të mjeteve rrugore (kolaudimi), ky shërbim sikundër e kemi premtuar do t’i kthehet shtetit dhe do të kryhet nga #DPSHTRR dhe nga janari 2021 do të ketë këto risi që do të lehtësojnë drejtuesit e 630 mijë automjeteve:

• Mjetet e reja (0 km) 3 vitet e para nuk do kalojnë në Kolaudim

• Mjetet e përdorura, nga 1 herë në vit do ta kryejnë kolaudimin 1 herë në 2 vjet

• Mjetet taksi, autoshkolla dhe mjetet e transportit të mallrave dhe udhëtarëve nga çdo 6 muaj do ta kryejnë kolaudimin vetëm 1 herë në vit!

• Tarifat aktuale nuk do të rriten, megjithëse afati i vlefshmërisë zgjatet

• Rradha famëkeqe e stresit dhe humbjes së kohës “tek Kolaudimi” do marrë fund

• Cilësia e shërbimit do të rritet, përafrimi me Direktivat e BE në fuqi do të përshpejtohet, modernizimi e informatizimi i këtij shërbimi do të jetë prioritet, sikundër është bërë në punën e deritanishme të #DPSHTRR”, shkruan Rama.