Sherr për punën, emigranti shqiptar qëllon me dy plumba ish-pronarin

Policia italiane e Fiuggi, arrestoi pasditen e kësaj të mërkure, një shqiptar të akuzuar për tentativë vrasje.

Rreth orës 15.30 të ditës së sotme, emigranti shqiptar S.A., 44 vjeç, me banim në Fiuggi, i denoncuar më parë për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje, qëlloi me dy të shtëna pistolete ndaj P.G.F., 57 vjeç, sipërmarrës italian dhe ish-pronari i shqiptarit.

Mes tyre kishte nisur një sherr pas kërkesës së shqiptarit për tu ripunësuar nga italiani.

Por pas refuzimit të italianit, shqiptari nxori pistoletën, ku fillimisht e kërcënoi dhe më tej shkrepi dy herë armën.

Njëri nga plumbat e kapi italianin në këmbë, ndërsa tjetri goditi makinën e tij.

I plagosuri i cili ndodhej në makinën e tij duke u larguar me shpejtësi, lajmëroi ndihmën e shpejtë.

Gjashtë patrulla të policisë së Alatri rrethuan zonën, duke vënë në pranga shqiptarin, të akuzuar për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje. /a.y/noa.al