Në 40-vjetorin e vrasjes përkujtohen veprimtarët Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka

Sot me një akademi rasti u shënua 40-vjetori i vrasjes së veprimtarëve të çështjes kombëtare vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalën e saj kujtoi veprimtarinë e tyre 40 vite më parë, derisa ajo u ndërpre nga atentati i UDB-së serbe. Për më tepër ajo tha se tre heronjtë vdiqën me mall për Kosovën.

“Dyzet vjet me parë aktiviteti i tyre u ndal dhunshëm, por ata inspiruan shumë pas tyre. Tre heronjtë tanë u vranë nga UDB-ja e Serbisë. Sot përkulemi para tyre dhe jemi falënderues. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu ishin kalitur me idenë e Kosovës Republikë. Prandaj Jusufi, Bardhoshi e Kadriu janë konsistentë dhe i kanë mbijetuar shumë zhvillimeve si patriotë e kishin të qartë se liria nuk është individuale. Në një letërkëmbim me shokët e burgut, lirinë e kishin të qartë. Të tre heronjtë u shuan me mall për Kosovën”, tha Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se janë mbledhur për të kujtuar veprën e tre heronjve.

“Liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe përditshme e tyre. Ky vit shënon 40-vjetorin e atentatit nga UDB afër Shtutgartit në Gjermani. Vrasësit vazhdojnë të mos dihen edhe pse organizatori dihej që në fillim UDB-ja gjakatare. Besoj se ne këtu e ndajmë se shtet-ndërtimi ose më mirë për virtytin e shtet-ndërtimit është ajo marrëdhënie që duhet punuar. Në një përkujtim heroi, por atë si shtet-ndërtues si çlirimtarë. E kësaj here jemi mbledhur të kujtojmë dikë që na i ka lënë gjithë gjurmët. Këtu jemi për të kujtuar Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën”, tha Kurti.

Një fjalë rast në këtë akademi mbajti edhe e mbesa e Jusuf Gërvallës, Nora Gërvalla, e cila jeton në Gjermani. Ajo tha se nuk ka pasur mundësi ta njohë gjyshin e saj, por ai do të mbetet një shembull për të gjithë.

“Unë nuk e kam njohur gjyshin tim, gjyshi im për mua është shembull, ka luftuar për lirinë. Pjesën më të madhe të jetës kam kaluar në Gjermani, por Kosovën e marr kudo që shkoj me vete”, tha ajo.

Në këtë akademi u lexua edhe një letër e bashkëshortes së Kadri Zekës, Saime Isufi, e cila nuk ishte e pranishme në pamundësi të udhëtimit në Kosovë.

“Ndihem e privilegjuar t’ju drejtohem me anë të kësaj letre. Jo rastësisht UDB-ja qëlloi mbi ta duke hapur propagandën se kanë vrarë njëri-tjetrin. Kadriu dhe vëllezërit Gërvalla i kujtuam dhe do t’i kujtojmë. Veprimtaria e tyre duhet të jetë shembull kundër armikut tonë. Veprimtaria e tyre duhet të jetë shembull edhe për politikanët tanë që shpesh nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për ngjarje madhore”, thuhet në letër.

Akademia u përmbyll me një program artistik në kujtim të tre veprimtarëve të çështjes kombëtare.

Ndryshe, më 17 janari 1982 u vranë në një atentat vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Atentati mbi vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ka ndodhur në Untergrupenbach të Gjermanisë. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte kulminacion i ri në luftën e fshehtë në të cilën agjentët e sigurimit jugosllav dhe kundërshtarët e pushtetit luftojnë mes tyre.

Pas kroatëve në ekzil, Qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve që vijnë nga Kosova. Atentati ka ndodhur, përderisa drejtuesi i veturës (BMW 316, targa: HN CY 353) nxirrte veturën nga garazhi, duke e drejtuar prapthi në drejtim të udhëkryqit.