Në mungesë së kuorumit ndërpritet seanca

Edhe pas 15 minutave pauzë nuk është arritur që të bëhet kuorum dhe të vazhdoj seanca e Kuvendit të Kosovës ku ishin paraparë dy interpelanca të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti. Seanca është mbyllur deri në njoftimin e radhës nga kryesia e Kuvendit të Kosovës, pasi që në sallë ishin vetëm 45 deputet.

Kështu ka njoftuar nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbëri Nagavci e cila po kryesonte këtë seancë.

“Meqenëse nuk ka kuorum të mjaftueshëm janë vetëm45 deputetë për vazhdimin e kësaj seanca do njoftoheni pas një vendimi nga kryesia”, tha ajo.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se Lëvizja Vetëvendosje i ka 25 deputetë në sallë dhe përgjegjësinë për mos kuorum e ka hedhur tek koalicioni qeverisës.

“Megjithëse kishte një dakordim që pas një pauzë të shkurt të grupet parlamentare të angazhoheshin dhe t’i sillnin deputetë në sallë, ne ende vazhdojmë të mos kemi kuorum, pra i kemi vetëm 45 deputet , mund ta konfirmoj që nga Lëvizja Vetëvendosje jemi 25 disa për arsye objektive dhe shëndetësore nuk mund të jenë këtu . Vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka prezent më shumë se sa i gjithë koalicioni qeverisës, prandaj konsideroj se përgjegjësia këtu bie kryekëput mbi ta dhe është një sjellje jo edhe e aq e përgjegjshme meqenëse duhet të jenë në sallë“, tha Murati.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës , Arben Gashi tha se edhe deputetët e këtij subjekti politik janë në sallë dhe nuk mund të mbaj përgjegjësi për deputetët e grupeve tjera parlamentare.

“Si duket deputetët nuk po e konsiderojnë të rëndësishme atë çka ka në rend dite ne si LDK mbajmë përgjegjësi vetëm për deputetë tanë që janë në sallë, tjerat janë çështje e vullnetit . PDK mesa e di ka deklaruar mungesë për një javë në Kuvend, ndërsa grupet tjera parlamentar nuk kanë deklaruar diçka. Ne jemi këtu kurdo që mendoni me vazhdua seancën nuk garantoj që është e njëjta për Qeverinë sepse kanë planifikuar t’i mbajnë interpelanca tani”, tha Gashi.

E nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbëri Nagavci tha se pa u bërë kuorumi nuk mund të vazhdoj seanca.

“Pa u konstatuar kuorumi dhe shqyrtuar çështjet të cilat janë paraqitur edhe me kërkesë me shkrim nuk mund të vazhdohet tutje. Janë dy interpelanca në rend dite dhe 12 pika të tjera përfshirë projektligje dhe shqyrtime të raporteve të kërkesave të ndryshme për të vazhduar këtë seancë duhet të ketë 61 vota të supozuara nga koalicioni qeverisës” , tha ajo.

Në seancën e sotme ishte paraparë që kryeministri, Avdullah Hoti me kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje do të ballafaqohet me deputetët për dy tema, për Liqenin e Ujmanit dhe për personat e pagjetur.

Në këtë seancë pritej të shqyrtohet edhe disa projektligje.

Ky është rendi i ditës:

Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Pyetjet parlamentare,
Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”,
Seanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovë, z. Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-033 për të Drejtën Ndërkombëtare Private,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-027 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-008 për Këshillin Ekonomiko-Social,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-028 për Inspektoratin e Punës,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-038 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,
Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 07/L-012 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-073 për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256,
Shqyrtimi i Raportit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019,
Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2019,
Shqyrtimi i Rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, për raportin e auditimit të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për vitin 2019,
Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2019,
Shqyrtimi i Raportit Vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019,
Shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2019,
Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy (2) anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave, nga radhët e komunitetit shqiptar.