Në Shqipëri gjashtë të vdekur dhe 275 raste të reja nga COVID 19

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, ka bërë të ditur se në 24 orët e fundit në Shqipëri janë shënuar 275 raste të reja me koronavirus prej 1422 testeve të kryera.

Me gjithë përpjekjet e mjekëve, ne 24 orët e fundit, kanë humbur jetën 6 qytetarë me Sars Cov2 pozitiv në 2 spitalet Covid: 61 vjeç nga Korça, 67 vjeç nga Pogradeci, 69 vjeç nga Lezha, 71 vjeç Vlorë, 73 vjeç nga Fieri dhe 74 vjeç nga Tirana, me sëmundje bashkëshoqëruese. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Ndërkohë janë shëruar 114 qytetarë, duke e çuar në 11,007 numrin e të shëruarve në vend që prej fillimit të epidemisë.

Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 291 pacientë, 13 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar.