Në Smrekonicë, të burgosurve u jepet mundësia të dalin jashtë e të punojnë 8 orë privatisht

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, në një intervistë për emisionin FRONTAL të T7, ka dhënë detaje të hollësishme për gjendjen e burgjeve në Kosovë.

Thaçi ka treguar se aktualisht të burgosur janë 1 mijë e 780. Nga ky total 480 janë të paraburgosur, 52 gra dhe 48 të mitur.

Ai ka thënë se gjendja e burgjeve në Kosovë është jashtëzakonisht e mirë, duke treguar se shumë organizata e bëjnë monitorimin e tyre.

“Gjendja krahasimisht me rajonin është shumë e mirë. Shumë organizata mbikëqyrin punën tonë dhe trajtimin e të burgosurve. Kushtet janë mjaft të mira, nga pastërtia, ushqimi e mundësitë për edukim shkollim e socializim”, ka thënë Thaçi në FRONTAL.

Drejtori i SHKK’së gjithashtu ka treguar edhe për atë se si e kalojën ditën të burgosurit. Thaçi ka thënë se rutina e tyre dallon pavarësisht kategorisë dhe në cilin burg gjenden.

“Në burgun e sigurisë së lartë kemi hapur disa punëtori të vogla aty. Orari i mëngjesit fillon në orën 7. Orari është strikt. Tani mund të na shohin edhe në t7”, ka shtuar ndër të tjera ai.

Thaçi ka treguar se shumica e të burgosurve kanë një angazhim, duke specifikuar se disa merren me punë të ndryshme bujqësore ndërkohë disa të tjerë bëjnë edhe punë të tjera.

Siç ka potencuar kreu i burgjeve të Kosovës, vetëm nga puna që kanë kryer të burgosurit, buxhetit të SHKK’së i janë kursyer rreth 1 milion euro.

Ai ka treguar se vetëm 13 % e të burgosurve janë recidivist, ndërkohë për pjesën tjetër ka thënë se i trajtojnë dhe u japin mundësi për shkollim. Thaçi ka treguar se disa kanë marrë edhe certifikata për profesione të ndryshme, në mënyrë që kur të dalin të jenë të aftë për punë.

“Burgu për femra është rinovuar plotësisht nga të burgosurit. Është bërë punë e shkëlqyer”, ka treguar ai.

Kreu i SHKK’së gjithashtu ka zbuluar edhe një gjë interesante. Të burgosurit që gjenden në qendrën korrektuese në Smrekonicë kanë mundësi që të dalin edhe jashtë burgut për të punuar 8 orë në ndonjë kompani private dhe më pas të kthehen përsëri në burg. Megjithatë ka thënë se pagesa për ta është shumë e vogël me vetëm 1 euro në ditë.

“Disa të burgosur në qendër korrektuese në Smrekonicë p.sh kanë mundësi që në orën 8 të dalin për të shkuar në punë në kompani private dhe në mbrëmje të kthehen në burg, ajo llogaritet që e ka kryer burgun. Megjithatë pagesa është shumë e vogël. 1 euro në ditë”, ka potencuar ai.

Ndërsa ka treguar se një i burgosur për një ditë, buxhetit të Kosovës i kushton diku rreth 28 euro, përfshirë edhe pagat për gardian, e shpenzimet e tjera.

“Kemi buxhet diku 17 milion, na del diku 28 euro dita për një të burgosur. Por këtu hyn çdo shpenzim, pagat, shpenzimet”, ka treguar Nehat Thaçi.

I pyetur rreth të burgosurve të rrezikshëm dhe nëse ka grupe brenda burgjeve, Thaçi ka thënë se në burgjet e Kosovës nuk ka të tilla, ndërkohë ka treguar se për personat të cilët cilësohen me rrezikshmëri të lartë nuk mund të dalin në shëtitje me të tjerët.

Sa u përket përplasjeve dhe rrahjeve brenda burgut, ai ka thënë se ndodhin ndonjë herë por janë raste të izoluara.

“Ka kacafytje ndonjëherë. Janë njerëzore, jo diçka në masa grupore. Herë pas here kemi rrahje mes 2 apo 3. Rrahjet ndodhin për çështje individuale. Nuk ka grupe apo klane brenda burgjeve. Kemi metodologji për eliminimin e grupeve. Në momentin që marrin informata të tilla, i shpartallojmë këto grupe”, ka thënë në T7 kreu i SHKK’së.

Sa i përket shkeljeve të rregullave, Thaçi ka treguar se kushdo që bënë probleme brenda burgut transferohet për një periudhë kohore në ndonjë burg tjetër.

Ndërkohë ai ka treguar që edhe tentimet për ikje nuk janë të theksuara. Ka treguar se dy raste të fundit kanë ndodhur nga QKUK-ja, por tashmë Thaçi thotë se është rregulluar edhe një problem i tillë.

“Tentime për ikje nuk kem. Dy probleme të fundit i kem pas prej spitalit. Megjithatë këtë e kemi rregulluar me QKUK-në. Duke rregulluar një vend të posaçëm ku trajtohen”, shprehet Thaçi.

Ai ka folur edhe për rastin e të burgosurve që janë të sëmurë, duke thënë se është një numër shumë i madh i atyre që kanë ndonjë sëmundje të caktuar.

Ka folur edhe për vetëvrasjet, duke thënë se brenda burgjeve të Kosovës shanset për të bërë një gjë të tillë janë të rralla. Megjithatë potencon se ka pasur raste edhe kur janë befasuar.

“Tema e vetëvrasjeve në burgje është shqetësuese. Kushtet për vetëvrasje janë shumë të vogla. Por mundësia për të identifikuar një person para vetëvrasjes është e mangët. Shpesh përdorin rrobat që kanë i veshur. Çdo javë kërcënojnë me vetëvrasje. Por merren masat menjëherë. Por ka raste befasuese, që pa pasur indikacione tenton vetëvrasje. Kemi pasur raste kur ka pasur zero indikacione dhe ka bërë vetëvrasje”, ka thënë Nehat Thaçi.

Për Qendrën e Paraburgimit në veri të Mitrovicës, Thaçi ka thënë se menaxhohet nga SHKK’ja dhe ka treguar se ka aty edhe shqiptar. Në këtë qendër ai thotë se është një fenomen i prodhimtarisë së lartë të karrigeve.

I pyetur nga drejtuesi i T7 se a ka vend edhe për ‘peshqit e mëdhenj’ në burg, Thaçi s’ka komentuar duke thënë se kushtet në burgjet e Kosovës janë fenomenale dhe se janë 2600 vende të lira.

“Kushtet janë shumë fenomenale. Kapacitetet e lira 2600. Kemi vend plotë”, ka thënë ai.

E meqë jemi edhe në vigjilje të festave të fundvitit, Drejtori i Burgjeve ka treguar se kujdesën që ndjenjën e festave ta kenë edhe të burgosurit, duke dhënë detaje se si ndryshon edhe racioni i ushqimit, shtohet ëmbëlsira dhe u jepet mundësia edhe për të shikuar televizion më shumë.

“Festat: Janë mjaft kreative. Duke filluar me ushqimin më të veçantë. Me ëmbëlsira. Televizion pak më gjatë shikojnë. Edhe në punë ka lehtësime. Vizita janë më të shpeshta. Krijohet ndjenja e festës”, ka thënë Thaçi.

Ai në fund gjithashtu ka treguar se të burgosurit kanë në dispozicion 7 ditë në vit për të realizuar vizita familjare jashtë burgut, dhe thotë se ato kryesisht i ruajnë për në fundvit.

“Po me ligjin aktual. 7 ditë kanë vikend gjatë vitit. Dhe nëse i ka plotësuar kushtet për të shkuar një vizitë familjare lejohet. Gjatë fundvitit ka më së shumti kërkesën”, ka thënë ai.

Në fund Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, ka uruar gjithë personelin e SHKK’së dhe të burgosurit me rastin e festave të fundvitit. /GazetaExpress/