Në Zonën Industriale vdes shqiptari nga Maqedonia e Veriut, policia heton rrethanat

Një shtetas i huaj ka vdekur sot në Zonën Industriale në Prishtinë.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Borovci tha se bëhet fjalë për një burrë të moshës 55-vjeçare, derisa theksoi se viktima ishte alivanosur brenda një objekti në këtë zonë.

“Rreth orës 10:00, kemi pranuar informatën për një person në gjendje të alivanosur në ambientet e një objekti në zonën industriale në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjentë, ndërkohë që viktima ishte dërguar në QKUK”.

“Rreth orës 11:15, nga ana e mjekëve në QKUK, është konstatuar vdekja e viktimës, mashkull, rreth 55 vjeç, shtetas i huaj. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, ndërkaq policia, në koordinim me prokurorin e shtetit, po i trajton rrethanat e ngjarjes, duke proceduar me një hetim mbi vdekjen”.

Sipas burimeve të Klankosova.tv, i ndjeri është shqiptar nga Maqedonia e Veriut.