“Nëse SHBA-të e njohin pavarësinë e Kosovës, nuk do të përfitojmë asgjë”, del shkrimi i Kurtit i vitit 2007

Albin Kurti, përgjatë historisë, vazhdimisht është ndeshur me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga Konferenca e Rambujesë e deri më sot, thuajse në të gjitha proceset ishte në anën e kundërt në raport me SHBA-në.

Demokracia.com ka gjetur një shkrim të datës 4 maj 2007, ku Albin Kurti kishte publikuar një reagim nga burgu i Prizrenit.

Kurti, ndër të tjerash kishte deklaruar se edhe nëse SHBA-ja e njohin pavarësinë e Kosovës, pavarësisht nga KS i OKB-së, nuk do të përfitojmë asgjë nga një njohje e tillë nëse asaj nuk i paraprin armatosja e shqiptarëve të Kosovës.

Albin Kurti kishte vazhduar me zhvlerësimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja dhe me kritikat e ashpra ndaj KFOR-it.

“Funksioni i deklaratave për njohjen e pavarësisë nga SHBA-të pa rezolutë të re të KS të OKB-së konsiston në balansimin e kërcënimeve të Rusisë me veto. Edhe nëse SHBA-të e njohin pavarësinë e Kosovës pavarësisht nga KS i OKB-së nuk do të përfitojmë asgjë nga një njohje e tillë nëse asaj nuk i paraprin armatosja e shqiptarëve të Kosovës nga SHBA-të ose së paku leja e SHBA-ve që Kosova të armatoset nga Shqipëria. SHBA-të e patën njohur edhe Bosnje e Hercegovinën si shtet të pavarur e sovran në fillim të vitit 1992. Por, të gjithë e dimë se çka ngjau pastaj në Bosnje dhe Hercegovinë (së cilës madje iu vendos edhe embargoja e armëve) nga viti 1992 e deri në vitin 1995. KFOR-i s’na mbron dot. Dëshmi për këtë është tolerimi tetë vjeçar i strukturave të Serbisë dhe i veriut të ndarë. Dëshmi për këtë është soditja që KFOR-i i bëri spastrimit të veriut të Kosovës nga shqiptarët në shkurt të vitit 2000. Njohja e Kosovës së pavarur nga SHBA-të apo shtetet tjera është veçse kundërproduktive përderisa nuk na lejojnë të kemi ushtrinë tonë“, kishte shkruar ndër të tjerash Albin Kurti. /Demokracia.com/