Nesër paraqitet dëshmitari i ri i prokurorisë në rastin kundër Thaçit dhe të tjerëve

Dëshmitari i gjashtëmbëdhjetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka përfunduar dëshminë e tij para trupit gjykues në Hagë. Dëshmia e tij për tri ditë me radhë është dëgjuar në seancë private derisa ai është intervistuar nga prokuroria, mbrojtja e Hashim Thaçit dhe ajo e Rexhep Selimit.

Dëshmitari me kodin 3879 ka dëshmuar nën masa mbrojtëse ndërsa në një pjesë të dëshmisë së tij, kur seanca ishte publike, ai ka thënë se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton KosovaPress.

Ai ka dëshmuar rreth periudhës së vitit 1998 dhe zonës së Llapushnikut.

Ndërsa të enjten në gjykatore do të paraqitet dëshmitari i radhës i prokurorisë.

Dëshmitari i shtatëmbëdhjetë do të ketë masa mbrojtëse por pritet që pjesë të dëshmisë së tij të dëgjohen edhe në seancë publike.

Deri tani në këtë proces gjyqësor janë dëgjuar 16 dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur dhe në seanca private, përveç ish-komandantit të Zonës Operative të Llapit dhe një oficeri britanik, të cilët kanë dëshmuar pa masa mbrojtëse.

Gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ka nisur me 3 prill ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata po qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020./kp/