New York Times raporton se Prokuroria në Hagë po rishkruan historinë politike dhe juridike

Gazeta prestigjioze amerikane “New York Times” ka botuar një shkrim të gjatë rreth karrierës politike të ish-presidentit Hashim Thaçi, fillimit të procesit gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së, deklarimin e tyre se nuk janë fajtorë për asnjë nga akuzat, duke përfshirë edhe përkrahjen e qytetarëve përmes Marshit për Drejtësi, që është mbajtur në Prishtinë.

Hashim Thaçi, ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Kosovës, shihet si një hero lufte në shumë pjesë të atdheut të tij, vendin ballkanik të cilin ai e udhëhoqi në luftën për pavarësi nga Serbia, që filloi rreth një çerek shekulli më parë, por në qarqe të caktuara ka reputacion të ndryshëm, si lider politik i kryengritësve që janë akuzuar për krime lufte, shkruan NYT.

Këto dy vizione konkurruese u përplasën në Hagë të hënën, kur Thaçi doli në gjyq së bashku me tre anëtarë të tjerë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ose UÇK, e shpërbërë që pas luftës, në një gjykatë speciale të financuar nga Bashkimi Evropian.

“Unë jam plotësisht i pafajshëm”, u tha Thaçi gjyqtarëve në gjykatë, raporton e përditshmja më e njohur amerikane.

“Zoti Thaçi ishte ende në detyrë si president kur lajmi për aktakuzën e tij në qershor 2020 e zuri në befasi në Vjenë, ku ishte rrugës për në Shtëpinë e Bardhë për bisedimet për paqe me Serbinë. Ai dha dorëheqjen nga presidenca në nëntor të atij viti dhe u dorëzua në gjykatën e Hagës, ku ndodhet në paraburgim për më shumë se dy vjet”, shkruan New York Times.

Policia dhe ushtria serbe, me urdhër të presidentit Slobodan Millosheviq, ndërmorën fushatë spastrimi etnik për të zbrazur Kosovën nga shqiptarët, të cilët përbënin pothuajse 90 për qind të popullsisë.

Sulmet brutale që filluan në vitin 1998 çuan mijëra njerëz në vendet fqinje përderisa fushata ajrore e NATO-s e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e detyroi Serbinë t’i jepte fund agresionit të saj në verën e vitit 1999. Deri atëherë, gati 850,000 njerëz ishin dëbuar ose ikur nga Kosova dhe më shumë se 12,000 janë vrarë.

Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008 dhe ajo u njoh menjëherë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një pjesë e Evropës, por nuk kishte konsensus global për këtë çështje. Serbia dhe Rusia janë në mesin e vendeve që kanë refuzuar ta bëjnë këtë.

Gazeta amerikane shkruan në vijim për pretendimet e prokurorisë kundër Thaçit dhe tre bashkëluftëtarëve të tij, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, por që avokatët mbrojtës kanë thënë se do të argumentojnë se prokuroria nuk mund të vërtetojë se krerët e UÇK-së janë përgjegjës personalisht, sepse kryengritësit vepronin në grupe vullnetarësh me drejtues lokalë dhe rajonalë.

“Askush nuk konteston nëse kanë ndodhur krime, por UÇK ishte një ushtri e paorganizuar, madje edhe NATO ka thënë se nuk kishte komandë dhe kontroll vertikal,”, citohet të ketë thënë Pierre-Richard Prosper, ish-ambasador i SHBA-së për çështjet e krimeve të luftës dhe anëtar i ekipit mbrojtës të ish-presidentit Thaçi.

“Prokuroria po rishkruan historinë politike dhe ligjore”, ka deklaruar Prosper.

Në Kosovë, me demonstrata dhe billborde është treguar mbështetja për luftëtarët e lirisë në bankën e të akuzuarve në Hagë dhe demonstratat janë mbajtur të dielën në mbështetje të Thaçit dhe të tjerëve dhe kundër gjykatës speciale, sepse ajo fokusohet vetëm në krimet e kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan NYT.

Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë ka vërtetuar vite më parë se shumica e dhunës gjatë kohës së luftës në Kosovë ishte kryer nga forcat serbe dhe ajo ka dënuar gjashtë udhëheqës të lartë politikë dhe ushtarakë serbë dhe ka dhënë dënime të gjata me burgim. Millosheviqi u akuzua gjithashtu, por ai vdiq para përfundimit të gjyqit të tij.

NYT tutje shkruan se kur e njëjta gjykatë gjykoi gjashtë të pandehur të UÇK-së, katër u shpallën të pafajshëm nga gjyqtarët të cilët thanë se dëshmitarët në rastet ishin frikësuar dhe kishin tërhequr rrëfimet e tyre, ose nuk ishin paraqitur.

Edhe pse nuk është e pazakontë që ish-liderët të akuzohen për krime të kryera gjatë kohës që ishin në pushtet, rasti i Thaçit ka zgjuar vëmendje, sepse ai ishte në detyrë dhe nuk ishte mundur në votime apo në fushën e betejës.

NYT shkruan se Thaçi ishte lider i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur filloi jetën e tij publike dhe ai iu kthye politikës civile pas përfundimit të luftës, duke shërbyer si kryeministër dhe ministër i jashtëm. Duke filluar nga viti 2016, ai ishte Presidenti Kosovës.

Shumë kohë pas luftës, ai mbeti një figurë e shquar në Kosovë. Në vitin 2020, ai ndihmoi kolapsin e qeverisë së Albin Kurtit, një rival politik, raporton NYT.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Parlamenti i Kosovës, nën presionin e madh të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Kosovarët nuk janë pjesë e gjykatës, stafi i gjykatës, nga rojet deri te prokurorët dhe gjyqtarët, janë ndërkombëtarë. Formulimi i gjykatës, së bashku me vendimin për ta vendosur në Holandë, synon të mbrojë gjykatën nga ndikimi politik dhe frikësimi i dëshmitarëve që rrënuan gjyqet e mëparshme. Buxhetin për gjykatën e paguan Bashkimi Evropian, ndërsa Qeveria e Kosovës ka thënë se paguan për mbrojtjen e qytetarëve të saj.

Sipas gazetës amerikane, dëshmitarët e parë është planifikuar të dalin javën e ardhshme dhe gjyqi pritet të zgjasë disa vite. /NYT/