Nga “koalicioni brenda 72 orëve”, deri te “ftuam ambasadorët”, afër 3 muaj “merre ose lëre” në negociatat VV – LDK

Edhe para 6 tetorit edhe pas 6 tetorit, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë përjashtuar çdo mundësi të kenë koalicion me dikë tjetër, përveç me njëra-tjetrën, por kjo ka ndryshuar.

Siç duket, asnjëra nga partitë nuk janë të gatshme të bëjnë kompromise për t’u rreshtuar krah për krah në qeverisjen e Kosovës tani kur kanë kaluar mbi 3 muaj e gjysmë nga dita e zgjedhjeve, shkruan lajmi.net.

Marrëveshje para-zgjedhore nuk pati, e pas zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk kanë arritur të gjejnë modalitetet për ndarjen e posteve që t’i hapin rrugë formimit të qeverisë.

Grupet e ekspertëve të dy partive brenda pak ditësh përpiluan programin e përbashkët qeverisës, por ndarja e posteve qeveritare, largoi të dy partitë nga njëra tjetra.

“Koalicioni brenda 72 orëve”

Para certifikimit të rezultateve, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe ai i lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa zhvilluan takimin e parë në nivel kryetarësh ku u pajtuan që koalicioni mes këtyre dy subjekteve do të arrihet brenda 72 orëve.

“Pra, jemi marrë vesh që të merremi vesh menjëherë pas certifikimit të rezultateve, me ç’rast ftesa ime dhe përgjigja e Mustafës është dhënë, që një orë pas certifikimit të rezultateve pas rinumërimit ne do të takohemi brenda 72 orëve, dhe do ta bëjmë marrëveshjen për koalicionin qeverisës”, kishte thënë Kurti në një konferencë për media.

Rinumërimi përfundoi, rezultatet u certifikuan, takimet mes dy liderëve u shpeshtuan, por marrëveshje nuk pati, madje, në çdo takim, qëndrimet e të dy partive shkonin duke u larguar e jo duke u përafruar.

“Jemi pajtuar të takohemi përsëri ditët në vazhdim”

Takimet e zhvilluara mes këtyre dy partive që nga data e certifikimit të rezultateve e deri para rreth një jave e kanë pasur vetëm këtë epilog: “jemi pajtuar të takohemi përsëri ditët në vazhdim”.

Propozimi i emrit për presidentin ishte kërkesë eksplicite e LDK-së për Vetëvendosjen e që nuk po pranohej nga këta të fundit, por situata u zbut.

Atëherë kur marrëveshja midis dy subjekteve politike dukej se po arrihet, në datën e 26 dhjetorit, Vetëvendosje pa dakordim me LDK-në, në seancën e konstituimit të Kuvendit, propozon për kryeparlamentar Glauk Konjufcën.

Konjufca, u bë kryetar i Kuvendit me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pavarësisht se nuk kishte marrëveshje dhe pavarësisht takimeve që kishin zhvilluar këto dy parti më herët.

Konjufca në postin e kryeparlamentarit vetëm sa vështirësoi punët për arritjen e një marrëveshje midis Vetëvendosjes dhe LDK-së, kur për një kohë u ndërprenë edhe takimet dhe filloi një fazë tjetër e negociatave.

“Kemi dërguar letër tek LDK vs Kemi dërguar letër tek VV”

Vetëvendosje – Lidhjes Demokratike të Kosovës e Lidhja Demokratike e Kosovës – Vetëvendosjes. Shumë letra u shkëmbyen mes këtyre dy partive politike ku po synohej arritja e një marrëveshje të pranueshme për të dy palët.

Nga 26 dhjetori, për Lëvizjen Vetëvendosje posti i kryeparlamentarit ishte punë e kryer, kështu ata propozuan rritjen e numrit të ministrive për 2 (nga 12 në 14), në mënyrë që LDK-së t’i shkonte një ministri e tjetra minoriteteve, vetëm që Konjufca të qëndroj në postin e të parit të Kuvendit.

Këtë propozim, LDK e ka quajtur jo-serioz, madje duke thënë se me këtë hap, Vetëvendosje po tenton të paraqesë LDK-në si parti që kërkon poste.

LDK në anën tjetër, kërkon në mënyrë eksplicite postin e kryeparlamentarit, gjë që për Vetëvendosjen është punë e kryer dhe kanë deklaruar se Konjufca nuk do të shkarkohet me votat e tyre.

Negociatat u ngrinë dhe marrëveshja midis këtyre dy partive nuk dukej as afër. Derisa të dy subjektet menduan një zgjidhje kreative për të dalur nga situata. Ftuan ambasadorët e QUINT-it në takim!

“I ftojmë ambasadorët në takimin tonë”

Lëvizja Vetëvendosje i ftoi ambasadorët e QUINT-it në takimin me LDK-në duke kërkuar kështu ndihmën e ndërkombëtarëve në arritjen e një marrëveshje të brendshme politike me LDK-në.

Për këtë veprim, Kurti u kritikua në opinionin publik dhe u akuzua për thyerje të parimeve pasi dikur nuk kishte folur mirë për ndërkombëtarët, e madje edhe demokracinë e Kosovës e kishte quajtur “demokraci të importuar”.

Zëvendësambasadorët e Francës, Britanisë dhe Gjermanisë dhe ambasadori i ri i Italisë së bashku me shefen e BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, por pa ambasadorin e SHBA-ve, Philipp Kosnett ishin prezent në takimin e gjatë Kurti – Mustafa që nuk prodhoi asnjë marrëveshje.

Pas takimit të dy liderët u deklaruan për media duke akuzuar dhe duke gjuajtur topin tek tjetri për mos-arritjen e marrëveshjes për qeverisje.

“Edhe 5 ditë afat kushtetues për Kurtin”

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tani ka vetëm edhe 5 ditë afat kushtetues të gjejë mënyrën për formimin e qeverisë dhe kjo varet shumë nga marrëveshja e tij me LDK-në.

Vetëvendosje ka refuzuar qysh para zgjedhjeve bashkëpunimin me ndonjë parti tjetër përveç LDK-së, ndërsa këta të fundit nuk kanë refuzuar kategorikisht se do të bashkëpunonin edhe me parti të tjera.

Në rast se Kurtit i kalon mandati për formimin e qeverisë, atëherë është në diskrecionin e presidentit se kë do ta mandatojë si të dytë në afatin tjetër prej 10 ditësh.

Tek presidenti mund të paraqitet çdo kush që e ka shumicën e votave për formimin e qeverisë dhe këtë mund ta bëjë edhe LDK-ja me Nismën, AAK-në e AKR-në.

Mbetet të shihet se çfarë do të ndodh ditët në vazhdim dhe a do të arrihet marrëveshje midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të qeverisur bashkë.

Nëse nuk ndodh ky koalicion, sipas analistëve vendi futet në krizë të thellë politike nëse nuk do të ketë mandatar tjetër të gatshëm për të formuar qeverinë. /Lajmi.net/