Nga përplasjet deri tek arrestimi i aktivistëve të PSD-së

Për të kundërshtuar ngritjen e tarifave të energjisë elektrike dhe për të kërkuar publikimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Partia Socialdemokrate (PSD) ka protestuar përreth katër orë sot në zyrat e këtij institucioni.

Pas ndërhyrjes së Policisë, janë arrestuar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, anëtarët Frashër Krasniqi, Natyra Kuqi, Nol Nushi dhe të tjerë, transmeton indeksonline.

Fillimisht PSD-ja kishte ndërmarrë fillimisht një aksion simbolik në zyrat e ZRrE-së, kështu duke pamundësuar punën e zyrtarëve të këtij institucioni, duke ndalur rrymën dhe mbyllur disa zyra me çelës.

Për këtë pati një përplasje mes kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj dhe një zyrtari të IT-së në ZRrE.

Molliqaj: Këtu është duke ndodhur një protestë.

Zyrtari: Ju lutemi jeni duke na bërë dëm, krejt sistemin e keni ndalë. E prishë sistemin, e korrupton sistemin.

Molliqaj: Ky sistem është i korruptuar.

Zyrtari: Dardan, je ka bën dëm, se unë jam zyrtar. A din çka donë me thënë me i ndalë disa serverë? Një server kushton deri 20 mijë euro.

Kur u ndal rryma ka ndërhyrë edhe kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, i cili tha se brenda 30 ditësh do ta publikojnë vendimin me tarifat e reja, dhe siç tha ai, s’po fshehin asgjë me këtë.

“Vendimi është procedurë ligjore, edhe me dashur unë nuk mundem, pasi që Zyra ligjore e drafton, e finalizon dhe e publikon. Është njësoj sikur në gjykata. Ligji thotë që brenda 30 dite publikohet për secilin akt, nuk është vetëm për tarifa. Për secilin obligim që ka bordi i ZRrE-së thotë që brenda 30 dite publikohen. Edhe në këtë rast, për këtë vendim, seanca ka qenë publike. Pra, po besoj që brenda 30 dite e drafatojmë edhe dërgojmë, merrni edhe raportin. Këtë herë kemi pasur mjaft komente, besoj që besueshmëria është rritë tek ZRrE-ja… Nuk mundemi ne sot në këtë mënyrë qysh keni ardhur, edhe me ju dhënë përgjigje për secilën çështje që ju e keni. Ne as nuk jemi duke fshehur e as duke u munduar me i ikë përgjegjësisë. Vetëm po kërkojmë sipas procedurave me u sjellë edhe ju, edhe ne”, theksoi Fejzullahu.

Përveç kërkesës për publikimin e vendimit, kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahut, pasi sipas tij ky i fundit ka gënjyer kur ka thënë se rritje të çmimit të rrymës s’ka edhe për kategorinë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë.

Pos kësaj Molliqaj ka pyetur Fejzullahun edhe për fitimin e KEDS-KESCO nga tarifat e reja, por nuk mori përgjigje nga ai.

“Këto i di krejt çka theksove. Po të tregoj që s’the asgjë çka kërkova unë. Asnjë vendim nuk është i plotfuqishëm derisa nuk publikohet në faqen zyrtare. Kjo vlen edhe për gjykatat, për me marr formë të prerë një vendim merr muaj, por pa u publikuar vendimi nuk është i formës së prerë… Kjo, është një. E dyta, pyetja është e thjeshtë, ti kishe shkuar në media dhe ta kanë bërë pyetjen, sa është subvencionimi i Qeverisë deri në 800 kilovat. Ti ishe përgjigjur se nuk mundem me treguar këtë se s’e dimë a? Sa është rritja? Pyetja e dytë, pse ti për të njëjtat kompetenca si drejtor vendos me thënë që s’ka rritje deri në 800 kilovat dhe mbi 800 rritja për faturën e konsumatorit është prej 6 në 12.5 centë. Pse po na tregon një pjesë e s’po na tregon për krejt. Fakti që ti si drejtor del në media dhe flet për pjesë të caktuara, e nuk flet për pjesë të caktuara, kjo tregon që je duke manipuluar. Edhe unë po them, ti ke gënjyer publikisht në momentin që ke deklaruar para mediave që s’ka rritje të çmimit deri në 800 kilovat, ke mundur me thënë që s’ka rritje të faturës, sepse e paguan shteti, ama çmimi është rritë. Pyetja jonë është sa është rritë? Po ashtu sa është fitimi i (KEDS-KESCO)”, theksoi Molliqaj.

Ndonëse, aktivistët e PSD-së ‘pushtuan’ zyrat e ZRrE-së dhe u ushqyen në korridoret e këtij institucioni, nuk janë penguar nga Policia e Kosovës, derisa kryetarit të Bordit, Ymer Fejzullahut iu pamundësua që të futet edhe në zyrën e tij.

Pas kërkesës së Policisë që të tërhiqen aktivistët nga këto zyra dhe mosbindjes ndaj urdhrave, organet e rendit ndërhynë duke arrestuar kreun e PSD-së, Dardan Molliqajn, anëtarët Frashër Krasniqi, Natyra Kuqi dhe të tjerë.

Gjatë ditës, ka reaguar ZRrE me anë të një komunikate, ku theksohet se me metoda të dhunshme dhe në mënyrë të paprecedentë, anëtarë të partisë politike PSD kanë hyrë sot në hapësirat e punës së Zyrës së Rregullatorit për Energji, duke i pamundësuar punën stafit.