Nga sot fillon orari i kujdestarisë së barnatoreve, drejtori jep detaje

140 barnatore në Kryeqytet nga e hëna do të jenë pjesë e rregullores së re për ofrimin e shërbimeve 24 orë. Kësisoj, për herë të parë në Prishtinë, barnatoret do të kujdestarojnë. Për zbatimin e këtij projekti, për Ekonomia Online ka folur drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku.

Ai ka thënë se çdo ditë të javës, pesë barnatore janë kujdestare nga ora 21:00 deri në 07:00. Ndërsa vikendit dhe festave, dhjetë barnatore do të punojnë 24 orë.

“Ju e dini që është një projekt i cili bëhet për herë të parë në Prishtinë pas luftës. Kemi bërë një grup punues i cili ka filluar në bashkëpunim me Shoqatën e Farmacistëve të Kosovës dhe me Odën e Farmacistëve dhe kemi filluar përgatitjen e një orari dhe pastaj është vendosur në diskutim publik, ka qëndruar një muaj dhe mbase vërejtjeve dhe sugjerimeve, pastaj është bërë drafti dhe është miratuar në Kuvendin e Kryeqytetit. Orari është dërguar tek të gjitha barnatoret dhe ka pasur disa barnatore që kanë kërkuar lirim nga kujdestaria, për shkak se pjesë periferike dhe nuk konsiderojnë se mund të kenë punë dhe siç më kanë treguar 140 barnatore që kanë pranuar të jenë në sistem, që i bie tri herë në vit me qenë kujdestarë. Pra që nga sot, fillon zbatimi i këtij orari, ne do të jemi strikt dhe do të bëjmë mbikëqyrjen e këtij zbatimi të orarit. Çdo ditë të javës, barnatoret punojnë prej orës 07 deri në ora 21 dhe gjatë natës, pesë barnatore janë kujdestare nga ora 21:00 – 07:00. Gjatë vikendit dhe festave, punojnë dhjetë barnatore 24 orë”, ka thënë Sadiku, teksa ka shtuar se do të ketë edhe ndryshime varësisht nga kërkesa e barnatoreve.

“Sigurisht që nuk do të jetë një draft i ngurte, do të jetë fleksibil dhe do të diskutohet. Në qoftëse nuk do të ketë nevojë për 10 barnatore ose për më shumë, do të jetë grupi punues që do ta ndryshojë. Për mua nuk ka me qenë me rëndësi sa barnatore sa do të jenë por për mua me rëndësi do të jetë që të jepen shërbime për qytetarët 24 orë. Për arsye se nuk munden qytetarët e Prishtinës që për një bari dhe me shku në Lipjan me ble në ora 3 të mëngjesit dhe ti e ke QKUK-në këtu dhe të gjitha shërbimet, është e pajustifikueshme”, ka thënë tutje Sadiku.

Drejtori i Shëndetësisë, ka thënë se qytetarët do të informohen edhe nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe në barnatore për orarin e ri.

“Nga sot, të gjitha barnatoret ta kenë orarin të paraqitur në dyert e hyrjes së tyre edhe Qendrat e Mjekësisë Familjare, për arsye se nëse qytetari vjen natën dhe ka nevojë për ta blerë ndonjë medikament, ai e din në QMF ose në barnatore se cila prej tyre do të jetë kujdestare për sonte, do të jetë online edhe në faqen e Prishtinës”, u shpreh Sadiku.

Ai ka thënë se ka pasur edhe skeptikë për implementimin e këtij projekti, për shkak të presionit të mundshëm nga barnatoret.

“Kanë qenë skeptikë të gjitha barnatoret. Me kanë thënë se nuk do të fillojë ky projekt se ka 4-5 barnatore me ndikim në Kryeqytet dhe ato do të bëjnë presion. Unë po ju tregoj se sa muaj ka filluar ky projekt, ende askush në telefon nuk më ka thirr për këtë çështje. Me thënë përse po e bën, veçse ka pasur lëvdata”, ka thënë Sadiku.