Ngjarje e rëndë në Kamenicë: Gjendet pa shenja jete një 67-vjeçar, dyshohet për vetëvrasje

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Krilevë të Kamenicës, ku një person është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një person kishte nevojë për ndihmë dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.

Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur trupin e viktimës, i cili kishte plagë që dyshohet se i janë shkaktuar nga arma e zjarrit. Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore, të cilët kanë gjetur dhe sekuestruar armën e tipit kallashnikov e cila dyshohet se u përdor në rast dhe sipas informacioneve të para, i ndjeri dyshohet se i ka dhënë fund jetës së tij.

Sinjali mëson se viktima është një burrë 67-vjeçar.

Nuk dihen motivet që shtynë drejt kësaj tragjedie, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vdekje e dyshimtë’ dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.