Ngjarje si në filma në Klinë: Persona të maskuar shpërthejnë bankomatin e një banke dhe ikin

Ende pa zbardhur mirë dita, në Klinë disa persona të maskuar kanë demoluar me mjete shpërthyese bankomatin e një banke.

Lajmin e ka bërë të ditur për Metron, Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Rreth orës 5:00 të mëngjesit të sotëm, në qendër të Klinës, disa persona të maskuar me mjete shpërthyes kanë demoluar bankomatin e një banke. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.”, tha Nikçi.

Ndërkaq tutje ai ka bërë të ditur se ende askush nuk është arrestuar për këtë rast.

“Njësitet relevante policore janë duke punuar në mënyrë intensive për identifikimin dhe arrestimin e tyre”, ka përfunduar Nikçi.

Nuk bëhet e ditur nëse këta persona kanë arritur që të vjedhin para. /gazetametro.net