Ngritet aktakuzë ndaj personit që sulmoi fizikisht Valon Sylën

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Bashkim Jupës, i cili sulmoi gazetarin Valon Syla, për shkak të deklaratave të tij për mërgimtarët.

Rastin për Express e ka konfirmuar, Laureta Ulaj zëdhënëse për informim në këtë Prokurori.

“Nga Prokuroria Themelore, Departamenti i Përgjithshëm është  ngritur aktakuzë. Prokurori i Shtetit e ka vlerësuar rastin dhe ka ngritur aktakuzë ndaj personit që sulmoi personin në fjalë. Jemi duke punuar në këtë drejtim dhe nuk kemi informacione nëse i njëjti është liruar nga Gjykata”, ka thënë Ulaj.

Kujtojmë që Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, më 22 dhjetor 2020, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet B.J, i cili sulmoi gazetarin Syla.

Një ditë pas, Prokurori i Shtetit ka filluar hetimet dhe në të njëjtën kohë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me dyshimin se i njëjti ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin.

Kujtojmë që ndaj sulmuesit të Sylës është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.