Nisma konfirmon se nesër fillon negociatat që të jetë pjesë e Qeverisë Kurti

Nisma Socialdemokrate nesër do të fillojë bisedimet me njërën nga partitë të cilat që pas 6 tetorit po zhvillojnë negociata për formimin e Qeverisë së re. Periskopi nga burime të afërta me Nismën, ka mësuar se krerë të kësaj partie, nesër do ta kenë një takim të tillë, që mund ta shpie partinë e Fatmir Limajt në Qeverinë Kurti.

Nesër pritet të përfundojë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat mori vendim Gjykata Supreme. Me këtë vendim, ishte miratuar ankesa e Nismës për rinumërim të mbi 1400 vendvotimeve dhe për anulimin e votave nga Serbia, përkatësisht mosnjohjen e atyre votave në rezultatin përfundimtar të 6 tetorit.

Kjo bënte që sipas rezultatit aktual – prej para rinumërimit – Nisma ta kalonte pragun zgjedhor.

Ndërkaq tash pas rinumërimit, i cili pra përfundon nesër, Nisma tashmë e ka të sigurt pragun zgjedhor, i kanë thënë Periskopit burime në ketë parti.

Edhe në kohën kur KQZ nuk kishte dalë me rezultatet preliminare, përflitej vazhdimisht se do të ishte Nisma pjesë e Qeverisë së ardhshme [Qeverisë Kurti].

Kujtojmë se as kryetari i Vetëvendosjen e me gjasë edhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës Albin Kurti e as ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kur janë pyetur për Nismën në koalicionin e tyre qeverisës, nuk kanë pasur fjalë përjashtuese.

Albin Kurti megjithëse nuk ka qenë i prerë në një ‘jo’ për Nismën, veç ka thënë se ‘nuk do të preferonte të kishte në Qeveri një parti nga PAN’ ndërkaq Isa Mustafa, e ka vlerësuar kryetarin e Nismës si një ‘politikan mjaft korrekt’, shkruan Periskopi.

Se me cilën parti, do të takohet Nisma për mundësinë e hyrjes në Qeveri, Periskopi nuk ka informacione të mëtutjeshme.

Ndryshe, me kalimin e pragut, koalicioni Nisma-AKR- PD ka gjashtë ulëse në Kuvend. Deputetët që do të jenë në Kuvendin e Kosovës nga ky koalicion janë: Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Albulena Balaj, Mirlinda Sopi – Krasniqi, Endrit Shala dhe Haxhi Shala.