Një djalë i mitur humb jetën dhe një 18-vjeçar gjymtohet në rrugën Fier-Ballsh

Një djalë i mitur ka humbur jetën dhe një tjetër pak më i madh është plagosur rëndë në një incident rrugor që ndodhi mbrëmjen e sotme në rrugën që lidh Fierin me Ballshin.

Noa.al raporton se ka ndërruar jetë një djalë 16 vjeçar që udhëtonte me motor, ndërsa është plagosur pasagjeri 18-vjeçar. Ngjarja ndodhi pasi ata u përplasën me një makinë tip “Ford”.

Policia e Fierit tha se aksidenti i orës 22:05, në vendin e quajtur “Ura e lumit”, Ballsh, ndodhi pasi shtetasi E. S., 34 vjeç, banues në Ballsh, duke drejtuar automjetin tip “Ford” është përplasur me një motomjet me të cilin udhëtonin shtetasit A. H., 16 vjeç dhe shtetasi L. A.,18 vjeç, të dy banues në Belishovë.

Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasi A. H., ndërsa shtetasi L. A., është dëmtuar dhe ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve.

Policia tha se është shoqëruar në Komisariat drejtuesi i automjetit dhe po kryhen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.