Një tigër në kopshtin zoologjik të Nju-Jorkut del pozitiv për koronavirus

Një tigër katërvjeçar në kopshtin zoologjik “Bronx” ka dalë pozitiv në testin për koronavirus

Tigri me emrin Nadia besohet të jetë rasti i parë i një kafshe të infektuar me virusin COVID-19, shkruan BBC-ja, transmeton gazeta “Express”.

Zyrtarët e këtij kopshti zoologjik thanë se rezultati i testit është konfirmuar nga Laboratori Kombëtar për Veterinari në Iowa. Besohet se tigri është infektuar nga një punëtor i kopshtit, i cili nuk kishte simptoma. “Kjo është hera e parë që ne e dimë një rast që një person e ka infektuar një kafshë”, tha Paul Challe, kryeveteriner i kopshtit zoologjik.

Në një deklaratë të lëshuar nga zyrtarët e kopshtit thuhet se tigri ka shfaqur mungesë të apetitit dhe ka kollitje të thatë, por ndodhet në gjendje të mirë në përgjithësi.