Rreth 30 të lënduar nga zjarri në një kamp imigrantësh në Bosnjë

Policia e Bosnjës e Hercegovinës njoftoi se njëzet e nëntë imigrantë janë lënduar nga një zjarr që shpërtheu në orët e para të së shtunës në një kamp në qytetin veriperëndimor të Velika Kladushas.

Zëdhënësi i policisë rajonale, Ale Siljdedic, tha se personat e lënduar janë dërguar në spitalet e Velika Kladushas dhe Bihacit. Kampi në të cilin shpërtheu zjarri shërben si strehë për rreth 500 imigrantë.

“Brigadat e zjarrfikësve janë në vendin e ngjarjes dhe së shpejti do ta shuajnë zjarrin dhe do të fillojë hetimi për shkakun e zjarrit”, tha ai.

Në videot e publikuara në rrjetet sociale shihen disa njerëz duke kërcyer në panik nga dritaret e kampit.

Sipas të dhënave të agjencive boshnjake të sigurisë, rreth 25 mijë njerëz nga Azia dhe Afrika Veriore kanë hyrë në territorin e Bosnjës nga Serbia dhe Mali i Zi gjatë vitit të kaluar, ndërsa 6000 mijë të tjerë kanë ardhur këtë vit.

Vetëm 3500 prej tyre janë akomoduar në qendrat e transitit, duke lënë mijëra të tjerë të jetojnë në kushte të vështira, shkruan “Reuters”.