Njësiti anti-bombë largohen nga objekti i Rektoratit, alarmi për mjet shpërthyes ishte i rremë

Kërcënimi me mjet shpërthyes në Rektoratin e Prishtinës ka rezultuar të jetë alarm i rrejshëm.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë për Reporteri.net se pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm.

“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mejtet shpërthyese, informata – alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm”, kanë thënë nga Policia e Kosovës për Reporterin.

Oborri i Rektoratit qëndroi i bllokuar për disa orë, pasi ky institucion pranoi kanosje me shpërthim përmes postës elektronike.

Një alarm i tillë u bë edhe të martën e javës së kaluar, porse rezultoi të ishte i rremë.

Ditëve të fundit, në vendet e rajonit, sidomos në Serbi, alarmet e rreme për bomba kanë qenë të shumta.