Njohja e patentë-shoferëve nga Gjermania, ambasada e Kosovës del me një njoftim

Ambasada e Kosovës në Gjermani ka dal me një njoftim pasi autoritetet gjermane në shkurt kanë marrë vendim për njohjen e patentë-shoferëve kosovarë.

Ambasada ka bërë të ditur se tashmë ka nisur procesi i konvertimit të patentë shoferëve nëpër landet gjermane dhe të interesuarit për konvertimin e patentë shoferëve mund të fillojnë me procesin e aplikimit të konvertimit në qytetet apo vendbanimet ku jetojnë, përkatësisht në qendrat përgjegjëse tek institucionet gjermane.

Po ashtu gjithë kosovarët që jetojnë në gjermani, do të kenë mundësi që verifikimin e validitetit të patentë shoferëve në të gjitha misionet konsullore të Republikës së Kosovës në Gjermani, përkatësisht pajisjen e qytetarëve me një vërtetim mbi vlefshmërinë e marrjes së patentë shoferëve në procedurë të rregullt në Kosovë.

Njoftimi i plotë nga Ambasada e Kosovës në Gjermani:

NJOFTIM LIDHUR ME PROCESIN E KONVERTIMIT TË PATENTË-SHOFERËVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës në Gjermani,

Pas votimit të marrëveshjes për njohjen e patentë shoferëve (në seancën plenare të Bundesrat-it më 11 shkurt 2022) dhe hyrjes së saj në fuqi, tashmë ka nisur procesi i konvertimit të patentë shoferëve nëpër landet gjermane.

Të gjithë të interesuarit për konvertimin e patentë shoferëve mund të fillojnë me procesin e aplikimit të konvertimit në qytetet apo vendbanimet ku jetojnë, përkatësisht në qendrat përgjegjëse tek institucionet gjermane.

Marrë parasysh vëllimin e madh të kërkesave për konvertim dhe me qëllim të përshpejtimit të procesit të verifikimit të patentë shoferëve, Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës (MPB) në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës (MPJD), do të mundësojnë verifikimin e validitetit të patentë shoferëve në të gjitha misionet konsullore të Republikës së Kosovës në Gjermani, përkatësisht pajisjen e qytetarëve me një vërtetim mbi vlefshmërinë e marrjes së patentë shoferëve në procedurë të rregullt në Kosovë. Sistemi i verifikimit të patentë shoferëve do të kryhet shpejtë (brenda pak minutave), do të jetë i standardizuar dhe në disa gjuhë.

Gjatë ditëve në vijim do t`ju informojmë mbi detajet shtesë dhe datën e fillimit të verifikimit të patentë shoferëve në misionet konsullore të Republikës së Kosovës në Gjermani.

Përzemërsisht,

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin