‘Njohja’ nga Xhamajka, reagon Presidenca e Kosovës: U informuam zyrtarisht nga ambasadorja Çitaku

Ditën e djeshme Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në Twitter, njoftoi se shteti i Xhamajkës kishte njohur pavarësinë e Kosovës.

Mirëpo një lajm i tillë u përgënjeshtrua sot nga ministrja e Punëve të Jashtme të Xhamajkës, Kamina Johnson-Smith, e cila nëpërmjet një postimi në Twitter i ishte përgjigjur Thaçit se deri më tani Xhamajka nuk e ka njohur Kosovën.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar zyra e presidentit Thaçi e cila ka thënë se njoftimin për njohjen nga Xhamajka e kanë marrë zyrtarisht nga ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Më tej Presidenca thotë se për informacione tjera duhet kontaktuar Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës është njoftuar mbrëmë zyrtarisht nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, për njohjen nga shteti i Xhamajkës. Të njëjtin njoftim, ambasadorja e ka dërguar edhe në Zyrën e Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme. Presidenti këtë njoftim e ka bërë publik përmes profilit të tij në Twitter. Për informacione të tjera, luteni t’i drejtoheni Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Informimit të Presidencës.