Nuk votohet privatizimi i Telekomit, do të pritet raporti i Komisionit Hetimor

Komisioni për Zhvillim Ekonomik nuk ka votuar Vendimin e Qeverisë me të cilin autorizohet Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës” SH.A, raporton Ekonomia Online.

Kjo pas kërkesë së deputetit të PSD-së Dardan Sejdiu. Ai tha se nuk duhet të shqyrtohet kjo pikë e rendit të ditës pa edhe raportin e komisionit hetimor parlamentar.

“Të hiqet pika e rendit të ditës për votim për vendimin e privatizimit të Postës pasi që kemi një komisioni hetimor parlamentar dhe nuk mendoj që duhet të merremi me këtë pa e pa edhe raportin e komisionit hetimor parlamentar dhe në fund kur t’i shohim raportet dalim me një vendim se a duhet të privatizohet Telekomi. Se di si mund të privatizojmë diçka që është ende në votim”.

Me propozimin e Sejdiut nuk u pajtua deputeti nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi. Ai tha se nuk është mirë që kjo pik të hiqet nga rendi i ditës për kundër faktit që nuk është lehtë për tu votuar.

“S’pajtohem me propozimin e Dardanit mendoj që kjo duhet të hidhet në votim dhe mundet me u refuzuar. Nuk besoj që domosdoshmërish duhet me lënë në peng total gjendjen e rënduar të Telekomit”.

“Nëse sot i japim mbështetje procedimit të këtij vendimi ajo duhet me dalë në seancë plenare. Nuk është mirë që këtë pikë me rëndit të ditës për kundër faktit që nuk është lehtë me votuar”.

Ndërsa deputeti Sejdiu tha se nëse nuk hiqet kjo pikë e rendit të ditës atëherë ai nuk merr pjesë në votim.

“Raporti hetimor vjen për dy muaj dhe pas dy muajsh kemi një analizë të qartë dhe të shëndoshë për Telekomin. Ne nuk duhet ta lidhim me privatizim analizën e BERZh-it por duhet ta lidhim me revitalizim të Telekomit”.

“Nëse jemi të interesuar që Telekomim ta ringjallim atëherë nuk kemi nevojë me u ngut me fut një temë e cila i ka shumë pikëpyetje sot. Ka arsye shumë të forta me hekë këtë pikë të rendit të ditës përndryshe unë nuk marrë pjesë në votim”.