Latifi sulmon ‘ekspertët e arsimit’: U bënë milionerë nga fondet për arsim, dhe nuk bënë asgjë

Blerim Latifi, ligjëruesi në Universitetin e Prishtinës, ka bërë një status në profilin e tij në Facebook, kësaj here në lidhje me çështjen e sistemit të dobët arsimor.

Latifi ka treguar një bisedë personale me një shok studimesh, i cili i kishte folur për trajnimet e mësimdhënësve.

Latifi ka deklaruar se “që nga paslufta janë derdhur miliona euro në trajnimin e mësimdhënësve në Kosovë” ndërsa ka kritikuar rezultatet minimale deri tash dhe ka sulmuar disa ekspertë të arsimit që “janë bërë milionerë nga manipulimet dhe korrupsioni me fondet kombëtare e ndërkombëtare që janë dhënë për to”.

Ai shton se pikërisht të tillët janë “më të zëshmit në kritikën e sistemit arsimor… sepse biznesi i tyre i ndyrë funksionon kështu: sa më keq të paraqitet gjendja, aq më shumë shtrohet nevoja për fonde të reja për trajnim të mësimdhënësve.”

Ky është statusi i plotë i Latifit në Facebook:

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor

Pas shumë vitesh, krejt rastësisht e takova një shok të studimeve, i cili tani është mësimdhënës në shkollën fillore të Kijevës. Biseduam gjatë për shumë e shumë gjëra, e mes tyre edhe për trajnimet e mësimdhënësve. Që nga paslufta janë derdhur miliona euro në trajnimin e mësimdhënësve në Kosovë. Sot të gjithë treguesit flasin se rezultati është minimal, ndërsa një grup njerëzish janë bërë milionerë nga manipulimet dhe korrupsioni me fondet kombëtare e ndërkombëtare të dhëna për këtë trajnim.

Dhe të tillët vazhdojnë të jenë më të zëshmit në kritikën e sistemit arsimor në Kosovë, sepse biznesi i tyre i ndyrë funksionon kështu: sa më keq të paraqitet gjëndja, aq më shumë shtrohet nevoja për fonde të reja për trajnim të mësimdhënësve.