Oda e Hotelerisë: Jemi më të dëmtuarit dhe më të pambështeturit nga institucionet e Kosovës

Oda e hotelerisë dhe Turizmit ka reaguar ndaj masave të reja kundër COVID-19, të marra nga Qeveria e Kosovës.

Sipas kësaj ode, masat asnjëherë nuk janë lehtësuar për sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë dhe sipas saj, masat e reja janë marrë pa u konsultuar me organizatat që i përfaqësojnë bizneset.

“Masat asnjëherë nuk janë lehtësuar për sektorin e hotelerisë dhe gastronomisë, kufizimet për këto sektore kanë qenë gjithmonë prezente, nuk u është lejuar të punojnë me kapacitete të plota, janë përballur me masa të rrepta dhe me dënime të shumta të paarsyeshme. Si çdoherë, edhe kësaj here masat e reja janë marrë pa asnjë konsultim me organizatat apo shoqatat që përfaqësojnë bizneset, e këto masa si zakonisht i kemi kuptuar vetëm përmes rrjeteve sociale apo mediave tona!”, ka shkruar OHT-ja në Facebook.

Oda e Hotelerisë dhe Turizmit tha se hoteleria e gastronomia nuk ka qenë dhe nuk është vatër e infeksioneve, duke shtuar se si sektor janë më të dëmtuarit dhe më të pambështeturit nga institucionet e vendit.

“Përveç këtyre duhet ta ri përmendim prapë që si sektor jemi më të dëmtuarit, dhe më të pa mbështeturit nga Institucionet e Kosovës, pra nuk është bërë asnjë subvencionim ndaj këtyre sektoreve, edhe një ndihmë sadopak e vogël që ka qenë ajo e TVSH%-së tani veçse është ngritur prapë në 18%! E mos të flasim për dënimet e përditshme që ndodhin, e me theks të veçantë shtrenjtimin e energjisë elektrike, gjë e cila tash e disa ditë ka shkaktuar dëme shumë të mëdha qoftë te qytetarët apo te bizneset”, thuhet tutje.