Operohet trajneri i Kosovës Bernard Challandes

Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur, se trajneri i ekipit kombëtar të Kosovës, Bernard Challandes, e ka bërë dje operacion gjurin e këmbës së tij.

Me anë të një postimi në faqen e Federatës së Futbollit të Kosovës njoftohet se Kryesuesi i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka uruar Bernard Challandesit shërim të shpejtë dhe e ka theksuar rolin e tij për skuadrën e “Dardanëve”.

“Pas operimit që pati dje përzgjedhësi i Kombëtares sonë, Bernard Challandes, në gju, shfrytëzoj rastin që në emrin tim dhe në emër të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës t’ i uroj atij shërim sa më të shpejtë. Roli i tij në ecurinë e ekipit tonë Kombëtar është shumë i rëndësishëm, prandaj ne e presim përzgjedhësin Challandes që të kthehet sa më i fortë në shtator kur na presin dy sfidat e radhës“, thuhet në  letrën e Ademit.

Challandes u emërua trajner i Kosovës më 2 mars të vitit 2018. Gjatë kësaj kohe ai i ka zhvilluar 13 ndeshje me “Dardanët”, prej të cilave tetë janë fitore dhe pesë barazime. Ai është ende i pamposhtur si trajner i Kosovës.