Opozita i reagon ashpër Kurtit pas deklaratave të SHBA-së: Jep dorëheqje, pasojat do t’i vuajë Kosova

Ndihmës Sekretari amerikan i shtetit, James O’Brien ka thënë se SHBA është shumë e shqetësuar me vendimin e Qeverisë për mos lejimin e përdorimi të dinarit.

Qeveria e Kosovës me këtë qëndrim ka vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në, ka thënë ai.

Të njëjtën deklaratë e dha të enjten edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Hovenier tha se veprimet e Qeverisë Kurti kanë prekur raportet Kosovë-SHBA. Ai ka thënë se raportimet që kemi pasur koordinim për dinarin janë të pavërteta.

Haliti: Albin Kurti të kërkojë falje publike ose të jap dorëheqje për mos veprimin e tij me sugjerimet e ndërkombëtarëve për dinarin

Nga opozita kanë folur për Front Online lidhur me pakënaqësitë e fundit të SHBA-së me Qeverinë aktuale.

Anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme, Xhavit Haliti pas kritikave nga SHBA-ja për Kosovën lidhur me dinarin serb ka dalur me një kërkesë për kryeministrin e Kosovës.

Haliti ka thënë që Kurti duhet të kërkojë falje publike për mos veprimin e tij me sugjerimet e ndërkombëtarëve.

Nëse nuk kërkon falje kryeministri të jap dorëheqje, thotë Haliti.

“Si pasojë e krijimit të mosbesimit me aleatin më të besueshëm e më të dashur nga gjithë Kosovarët, Kryeministri i Kosovës do duhej që publikisht të kërkonte falje për mosveprimin e tij në përputhje me sugjerimet që i janë bërë nga vendet mike, të shkarkoj disa nga përgjegjësit që kanë shkaktuar këtë situatë, dhe nëse jo, atëherë të paraqesë dorëheqje dhe vendin ta çoj në zgjedhje të reja”, ka thënë Haliti.

Deputeti Haliti thotë se Kurti nëse nuk arrin ti bindë aleatët për ndryshimin e kursit politik, pasojat do ti vuaj Kosova.

“Shansin e ka për t’i përmirësuar gabimet, për të vepruar si politikan Evropian i shekullit XXI që problemet t’i zgjedhim me dialog duke marrë parasysh interesat e Kosovës e qytetarëve të sajë. Nëse Kryeministri nuk arrin që t’i bindë aleatët tanë lidhur me ndryshimin e kursit politik, pasojat do t’i vuaj Kosova por edhe ai personalisht”, deklaroi Haliti.

Deputeti i PDK-së pas deklaratës së O’Brien: Kosovën e ka partnere të besueshme SHBA-ja, Qeverinë s’do ta trajtojnë njëjtë

Deputeti i PDK-së Xhavit Haliti tha se deklarata e O’Brien janë paralajmërime për Qeverinë pasi interesat e vendit po i vendosë në pikëpyetje.

Haliti deklaroi për Front Online se Kosovën e kanë partnere por Qeverinë s’do ta trajtojnë njëjtë.

“Mendoj që ka thënë që s’do ta “trajtojmë qeverinë si Partnere” por Kosovën e kanë partnere shumë të besueshme e kjo është arsyeja e qortimit publik që bëri O’Braian, njëri nga njohësit më të mirë të problematikave e problemeve në mes Kosovës e Serbisë. Qortimi publik është paralajmërim për këtë Qeveri që me veprimet e mosveprimet e saja, me akrobacionet dhe aventurat politike po e vendosë vetveten e interesat e Kosovës në pikëpyetje të madhe para bashkësisë ndërkombëtare e në veçanti në raport me vendet mike të Kosovës”, tha Haliti.

Haliti ndalimin e dinarit e ka parë si vendim të duhur.

Por ai tha se është dashur të ndjekin praktikat që vendet e BE-së bëjnë kur hyjnë në Eurozonë.

“Sa i përket çështjes së ndalimit të përdorimit të dinarit të Serbisë brenda territorit të Kosovës, si çështje duhet bërë e duhet ndaluar, por duhet të njekë praktikat që vendet e BE bëjnë në fillimet e tyre kurë hyjnë në Eurozonë”.

Kështu është dashur të veprojë Qeveria para vendimit për dinarin, sipas deputeti të PDK-së.

“Duhet bërë marrëveshje në mes të sistemit bankarë të Kosovës dhe atij të Serbisë lidhur me qarkullimin e konvertimin e valutave përmes dy sistemeve bankare. Por domosdoshmërish kjo kërkon edhe marrëveshje politike shumëpalëshe dhe bazuar në pakon e Ahthisarit dhe marrëveshjen e Brukselit, Kosova duhet të ketë valutën e sajë në të gjithë territorin. Meqë kështu është atëherë, projekti për futjen e detyrueshme për gjithë territorin e Kosovës duhet bërë në një afat 6-12 muaj , që në territoret ku është përdorë dinari çmimet të vendosen me kosto të dy valutave të konvertuara sipas marrëveshjeve”, theksoi ai.

Haliti thotë se me urgjencë Qeveria duhet t’i kryejë obligimet Kushtetuese të pranuara nga ndërkombëtarët.

“Qeveria e Kosovës, me urgjencë duhet t’i përvishet punës për të kryer obligimet e saja Kushtetuese duke u bazuar në shtetin tonë të pavarur e multietnik, në këtë formë të pranuar ndërkombëtarisht”, tha Haliti.

Quni: Nëse për Qeverinë ‘Kurti’ mungesa e partneritetit me SHBA nuk është asgjë, për Kosovën është

“Tepër shqetësuese”.

Kështu po e vlerëson deputeti i LDK-së, Anton Quni deklaratën e O’Brien që vë në pikëpyetje partneritetin me Qeverinë kosovare, pas vendimit me dinarin.

Ai tha se nuk është e lehtë të jepet një deklaratë e tillë nga ata që kanë qenë mbështetës të hershëm për liri e pavarësi.

Quni thotë për Front Online se nëse për qeverinë mungesa e partneritetit me SHBA nuk është asgjë për Kosovën është.

“Deklarata e O’Brien është tepër shqetësuese. Jam i bindur se një deklaratë e tillë nuk është e lehtë që të thuhet nga ata që kanë qenë mbështetës të hershëm dhe vendimtarë në krejt procesin e rrugëtimit tonë për liri e pavarësi. Nëse për Qeverinë aktuale mungesa e partneritet me ShBA-në nuk është asgjë, kjo nuk vlen edhe për Kosovën, sepse një gjë e tillë është edhe e pamerituar, edhe e papërballueshme”, u shpreh Quni.

Qeveria ‘Kurti’ nuk ka marr besim që të konfrontohet me aleatët e vendit, thotë deputeti Quni.

Ai tha se Kosova krahas Serbisë ka gjithmonë të drejtë por me koordinim të ndërkombëtarëve.

“Çdo lëndim i raporteve me SHBA, është i dëmshëm për vendin tonë, për të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ndaj, është i papranueshëm, është keq. Kjo Qeveri nuk ka marrë besim që të konfrontohet me aleatët tradicional të vendit tonë. Kosova në të gjitha rastet përballë Serbisë ka të drejtë. E drejta e Kosovës është e padiskutueshme. Mirëpo, kjo e drejtë e koordinuar me miqtë ia mundëson Kosovës që t’i arrij qëllimet e duhura e të domosdoshme pa asnjë zhurmë, pa asnjë spektakël situatash të krijuara pa nevojë që nuk i duhen vendit tonë, por iu duhen kundërshtarëve tanë”, theksoi Quni.

Nuk dua të besoj që vendi ynë prapë të ngarkohet me sanksione, tha deputeti i LDK-së.

“Do të ishte një lajm tepër i hidhur, i keq. Nuk i dua lajmet e këqija për vendin. Njëherit, apeloj për angazhim që Kosovës t’i hiqen sanksionet që i ka mbi supe”, përfundoi Quni.

Kadrijaj e AAK-së: Deklaratat e O’Brein shqetësuese, Kosova ka nevojë për SHBA-në

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaratën e O’Brein e kanë vlerësuar si shqetësuese.

Deputetja Time Kadrijaj tha për Front Online se Kosova ka nevojë për SHBA-në.

Pa partnerë stopohet rruga drejtë Evropës, thotë deputetja Kadrijaj.

“Deklaratat janë shqetësuese, Kosova ka nevojë për partner e sidomos për SHBA. Momenti e kërkon që të kemi dakordim dhe bashkërenditje me aleatet. Ne pa partneritet e stopojmë rrugën tonë Evropiane”, u shpreh Kadrijaj”, u shpreh Kadrijaj.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, në deklarimin e së enjtes ka deklaruar se të gjitha vendet që mbështesin Kosovën janë të shqetësuara e pa mençur mos përgjigja e Qeverisë.

“Është e vështirë për mua të përgjigjem sesa të them se kjo nuk është vetëm një kërkesë e SHBA-së. Të gjitha vendet në të cilat mbështetet Kosova për të avancuar rrugën e saj drejt BE-së, NATO-s, Këshillit të Europës, te institucionet e tjera, kanë shprehur shqetësime reale dhe të qarta. Po duket e pamençur për Qeverinë që thjesht të mos iu përgjigjet këtyre shqetësimeve dhe më duhet ta them se këto janë përshtypjet tona çka po ndodh tani”, tha Hovenier.