Opozita i reagon Kurtit: Nuk e penguam punën e Qeverisë, krizën e shkaktove vet

Pandemia e koronavirusit, presidenti Thaçi dhe opozita janë përmendur si sfidat kryesore nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në 100-ditëshin e qeverisë së tij. Por këto deklarata i ka quajtur të pavërtetave opozita në vend.

Ata kanë thënë se krizën nuk e shkaktoi opozita, por vetë kryeministrit në detyrë me veprimet e tij, duke filluar nga shkarkimi i Agim Veliut.

Opozita në vend, e ka akuzuar Kurtin se ka shkaktuar vet-rrëzimin e qeverisë në kohë pandemie.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë për lajmi.net se partnerët e koalicionit kanë zgjedhur që të “qërojnë hesapet” dhe të shkaktojë një krizë në kohën e pandemisë.

Ajo ka thënë se PDK-ja as nuk e ka ndihmuar dhe as nuk e ka penguar këtë qeveri. Deri sa shton se kjo parti nuk ka qenë fare e involvuar, siç thotë ajo, në telashet e koalicionit.

“Në fakt është për habi një deklaratë e tillë sepse përgjegjësia për menaxhim të situatës ka qenë totalisht e kryeministrit përkundër faktit që ai ka krijuar vet një krizë. Partnerët e koalicionit kanë zgjedhur që të qërojnë hesapet dhe të shkaktojë një krizë në kohën e pandemisë. Në kohën kur qytetarët e Kosovës kanë merituar një vëmendje më të madhe dhe krizën nuk e ka shkaktuar asnjëherë Partia Demokratike e Kosovës. Ju e dini vet që ne kemi qenë fare të involvuar në telashet e partnerëve të koalicionit”, ka thënë Deliu

Sipas saj, shkarkimi i qeverisë ka ndodhur për shkak të shkarkimit që Kurti i bëri ministrit të Brendshëm.

“Shkarkimi ka ndodhur për shkak të shkarkimit që vet z.Kurti i ka bërë ministrit të Punëve të Brendshme pastaj ka pasur një mocion të ri ku ne nuk kemi marrë pjesë fare. D.m.th as nuk kemi qenë aktiv, as nuk e kemi penguar dhe as nuk e kemi ndihmuar këtë qeveri. Prandaj konsiderojë që është totalisht e pavend që të akuzohet opozita që nuk e ka lejuar të punojë, kur vetë kryeministri ka shkaktuar krizën në kohën kur vendi ndodhet në pandemi”, ka thënë Deliu.

Edhe deputeti i AAK-së, Rasim Selmanaj ka thënë se opozita nuk e ka penguar qeverinë dhe se fajtor për krizën e koalicionit është vet Albin Kurti.

Sipas tij, opozita nuk e ka rrëzuar Qeverinë, por e kanë rrëzuar vetëvetën VV-ja dhe LDK-ja.

“Koalicioni siç e kanë quajtur këta “të shpresës” VV dhe LDK e rrëzojë vetë atë shpresë dhe atë qeveri. Dhe unë mendoj që shkaktari i krizës është Albin Kurti, sepse veprimet e tij duke filluar më shkarkimin e Agim Veliut dhe veprimet e tjera e solli një situate të tillë. Në fakt opozita nuk e ka rrëzuar por e ka rrëzuar vetën VV dhe LDK. Pandemia është sfide e të gjithëve dhe në të gjithë duhet të jemi të angazhuar, por mendoj që është dashur punë shumë më shumë në këtë drejtim, duke filluar nga numri i testeve nga bashkëpunimit. Përndryshe kemi mujt me pas një situate më të mirë se sa që e kemi tani”, ka thënë Selmanaj.

Kryeministri në detyre, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë, u ankua se në këto 100 ditë, qeveria e tij kishte 100 pengesa. Ai përmendi pandeminë, presidentin e opozitën.

“Në këto 100 ditë, kishim dhe 100 pengesa. Një pandemi të padëshiruar që vazhdon të rrezikojë jetën e qytetarëve. Një president të frustruar që vështirëson sfidon punët e qeverisë. Dhe një opozitë që në kohë pandemie angazhua për rrëzimin e qeverisë. Është një standard i ri, kur kryeministri dhe qeveria bëjnë punët e saj, dhe jo kundërsulmet ndaj opozitës”, tha Kurti.