Opozita me mosbindje civile

0
227
Opozita ka ftuar qytetarët të refuzojnë pagesën e taksave të rritura, duke filluar nga tarifa për Rrugën e Kombit, tek taksa e pronës e deri tek fatura e ujit dhe e dritave.
Vendimi për nisjen e mosbindjes civile është marrë pas një mbledhje të përbashkët të deputetëve dhe krerëve të degëve të të gjitha forcave politike të opozitës.
Sipas Bashës protestat dhe mosbindja civile janë rrugët për të reaguar ndaj kësaj qeverie që i ka varfëruar qytetarët.
Ajo që mbetet e paqartë është marrëdhënia me Parlamentin. Por të paktën nesër deputetët opozitarë nuk do të jenë në komisione por para gjykatës ku do merret vendimi për protestuesit.
Ndërkohë, burime nga grupi i PD-së bëjnë të ditur se gjatë mbledhjes shumë deputetë kanë këmbëngulur që opozita të jetë në çdo moment në krah të qytetarëve.
Madje ish-kryeministri Berisha mësohet të ketë thënë se Kukësi ndezi shkëndijën, e tashmë opozita duhet të nisë marshimin pa kthim pas, për rrëzimin e Ramës.
Më herët grupi parlamentar i LSI-së shprehu mbështetjen për protestuesit nga Kukësi, ndërkohë që kërkoi përjashtimin e Ramës nga parlamenti.