Organizatat BGF dhe INDEP: “Kosova e Re” rrit çmimin e energjisë për 50 për qind

0
310
Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kërkojnë tërheqjen e menjëhershme nga kontrata për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.
Këto organizata vlerësojnë se ky projekt do të falimentojë Kosovën ekonomikisht, do të pamundësojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe paraqet një goditje vendimtare mjedisit, shëndetit dhe të drejtave të njeriut.
BGF dhe INDEP konsiderojnë se termocentrali ‘Kosova e Re’ do të rrisë çmimin e energjisë për konsumatorë mbi 50 për qind.
“Përkundër një procedure të diskutueshme kontraktuese të tenderit, ContourGlobal është përzgjedhur si operatori kryesor i termocentralit ‘Kosova e Re’. Balkan Green Foundation dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë përcjellur vazhdimisht ecurinë e projektit për ndërtimin e termocentralit të ri, i cili edhe që nga koha kur ka qenë si ide ka bartur në vete shkelje të shumta, parregullsi, ndryshime në kapacitetin gjenerues etj. Edhe sot, ky projekt po vazhdon të dëshmojë se me ndërtimin e tij a) do të ndikojë në rritjen e tarifave të faturave të energjisë elektrike, b) do të dëmtojë rëndë buxhetin dhe tatimpaguesit kosovar, dhe c) do të dërgoj vendin drejt falimentimit”.
‘Kosova e Re’ ka një çmim të garantuar prej 80 euro/MWh. Kosova ka themeluar kompanine publike NKEC, e cila do të shërbejë si ndërmjetësues në mes të Contour Global dhe pjesës tjetër të tregut të energjisë në Kosovë. Pra, NKEC detyrohet të blejë kapacitetin prodhues të termocentralit të ri, edhe nëse tregu nuk e kërkon. Atë energji NKEC do t’ia shesë KEDS-it apo dikujt tjetër me çmim më të lirë se kostoja ngase çmimi mesatar rajonal është 50-60 euro/MËh. Kështu, shteti dhe tatimpaguesit kosovarë e marrin mbi supe diferencën e çmimit prej minimum 20-30 euro/MWh.