Organizohet protestë gjithëpopullore kundër Gjykatës Speciale

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe Shoqata e ish të Burgosurve Politik të Kosovës, përmes një komunikate për medie kanë njoftuar se do të organizojnë protestë gjithëpopullore në Prishtinë me datën 9 korrik 2020 me moton: “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”, shkruan Fokusi.info

Komunikata e plotë:

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe Shoqata e ish të Burgosurve Politik të Kosovës, pas takimit të mbajtur me datën 30.06.2020 dolën me këto përfundime:

1. Në mënyrë unanime, edhe një herë u tha se jemi kundër gjykatës së tillë speciale me seli në Hagë,
2. U konstatua se bërja publike e ngritjes së aktakuzës së pakonfirmuar dhe momenti në të cilin u bë, tregon qartë atë që është thënë vazhdimisht se kjo gjykatë e sidomos prokuroria në Hagë, është e ndikuar politikisht, gjë që e bën të kundërligjshëm gjithë procesin,
3. Ngritja e kësaj aktakuze është bërë me qëllim të caktuar, e sidomos për ta penguar procesin e dialogut Kosovë-Serbi,
4. Të kërkohet nga Kuvendi i Kosovës që ta ndryshoj ligjin për gjykatën speciale, për arsye se duhet të gjykohen të gjitha krimet dhe gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë,
5. Mbahet protestë gjithëpopullore në Prishtinë me datën 9 korrik 2020 me moton: “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”./Fokusi.info/