Ose do të nënshtrohet LDK-ja, ose do të shkojmë sërish në zgjedhje

LVV dhe LDK nuk po arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët për ta formuar qeverinë e re. “Mollë sherri”, së paku publikisht, është posti i presidentit. LDK po e kërkon për vete e LVV nuk po pranon t’ia jap, shkruan Fokusi.info.

E shikuar përciptazi kështu është e tërë situata. Por në brendësi ka diçka edhe përtej kësaj.

Që nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve është parë qartazi se LVV do të jetë subjekti i parë politik dhe asaj do t’i takojë e drejta e formimit të qeverisë. Por LVV nuk mund ta bëjë këtë e vetme për shkak të votave të pamjaftueshme, prandaj duhet që ta zgjedh një partner me numër të mjaftueshëm të deputetëve, në mënyrë që të procedojë më tutje.

Që nga fillimi, LVV e ka bërë të qartë se e ka zgjedhur partnerin dhe ai është LDK-ja. Por LVV as këtë partner nuk e do të fortë e me një të ardhme, por të dobët e në rënie.

LVV e ka shumë të qartë se insistimi i LDK-së për postin e presidentit (veçanërisht emri i Isa Mustafës), me të drejtë apo pa të, po i sjell dëme të mëdha LDK-së, sepse shumica e njerëzve (votuesve potencial) fajtorë për mosformimin e institucioneve të reja po e bëjnë LDK-në.

Në këto kushte, në këto rrethana të zhvillimit të ngjarjeve dhe perceptimit të opinionit, Albin Kurti nuk e lëshon assesi rastin që, ose ta dëmtojë rëndë LDK-në, ose ta çoj vendin sërish në zgjedhje. E në zgjedhje të reja, Kurti pret një fitore edhe më të thellë. Madje ai pret që edhe LDK-në, përveç dobësimit edhe ta përçajë e t’ia marr edhe disa figura kyçe të partisë.

Kështu që, duke i analizuar veprimet e subjekteve politike, kemi një situatë që mund të shpjegohet me dy fjalë: Ose do të nënshtrohet LDK-ja ndaj Vetëvendosjes, ose Kosova shkon sërish në zgjedhje. /Fokusi.info/