Osmani dekreton Ligjin për Pagat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, të mërkurën.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

“Zyra e Presidentes ka pranuar për shpallje, Ligjin Nr. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, sot, më 4 janar 2023. Pas analizave ligjore nga Zyra e Presidentes, Presidentja Osmani e ka dekretuar shpalljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, po sot, më 4 janar 2023”, tha Kupina.

Dekretimi është bërë pas analizave ligjore të ligjit nga Zyra e Presidentes.

Pas dekretimit nga presidentja, ligji publikohet në gazetën zyrtare dhe një muaj më pas hyn në fuqi.

Konsorciumi për të Drejtat e Punës dhe Koalicioni për Drejtësi Shoqërore dhe të Drejta Socio-Ekonomike kishin shprehur shqetësimin lidhur miratimin e Ligjit për Paga dhe atë për Zyrtarët Publikë.

“Ligji për Pagat, i cili ka për qëllim të harmonizojë pagat në sektorin publik, është miratuar pa e përcaktuar vlerën monetare të koeficientit i cili përdoret për të caktuar lartësinë e pagave, duke pamundësuar kështu diskutimet më të thella mbi vlerat e pagave nga grupe të ndryshme shoqërore, si dhe duke cenuar parimet e sigurisë juridike dhe ligjshmërisë. Për më tepër, Ligji për Zyrtarët Publik, i cili ka për qëllim rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës, në formën në të cilën është miratuar rrezikon të shtojë ndikimin politik në shërbimin civil”, thuhej në reagim.

Po ashtu, mbi 30 sindikata e organizata e kanë kundërshtuar ligjin.