Osmani: Do t’ia rikujtojmë vetes, rajonit dhe aleatëve se s’ka asgjë më të rëndësishme se zbardhja e fatit të të pagjeturve

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe tek memoriali i të pagjeturve në Prishtinë.

Me këtë rast, presidentja Osmani ka deklaruar se se sot çdo qytetarë përkujton të pagjeturit e luftës së Kosovës.

“Mbi 1 mijë e 600 të zhdukur nga lufta në Kosovë.Sot e ripërsërisim se fati i gjithë Kosovës është i lidhur drejtpërsëdrejti me fatin e familjarëve të më të dashurve tanë. Sot e përsërisim se në Kosovë liria do të ketë kuptim vetëm atë ditë kur të rikthehen të gjithë njerëzit tanë, kur do të ketë drejtësi për secilin prej tyre, vetëm atë ditë kur plaga e hapur e gjithë këtyre familjarëve, e që është plagë e jona e përbashkët, do të mund të mbyllen apo së paku të fillojë të shërohen me zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha Osmani, shkruan lajmi.net.

Presidentja tutje shtoi se sot e çdoherë do t’ia rikujtojmë vetes, rajonit por edhe aleatëve të Kosovës se nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë.

“Dua ta ritheksoj në prani të gjithë familjarëve se kjo asnjëherë nuk do të jetë vetëm barrë e tyre, nuk është barrë individuale, është barrë e jona e të gjithëve bashkërisht sepse ata janë njerëzit tanë, janë djemtë e vajzat tona. Janë të të gjithë Kosovës, prandaj edhe barrën e kemi të përbashkët, plagën e hapur të përbashkët e dhimbjen poashtu. Të jeni të sigurt të gjithë se zëri juaj, do të dëgjohet çdokund që kërkesa jonë parësore e themelore do të jetë zbardhja e fatit të më të dashurve tuaj e tanë”, shtoi ajo.