Osmani: Falënderova Bashën dhe PD-në për qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Omsani ka takuar pak më parë kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, më të cilin biseduan në lidhje me aktualitetin politik, raporton IndeksOnline.

“Patëm një diskutim shumë të mirë, për punët tona të përbashkëta për sukseset që kemi pasur në ta kaluarën, për frytet e këtij bashkëpunimi, por folëm edhe për rritjen bashkëpunimit”, tha Omsani.

Ajo tutje theksoi se tani Kosovës dhe Shqipërisë i duhet bashkërendim dhe përmirësim i raporteve jo vetëm në aspektin tregtar dhe ekonomik, por edhe në atë të politikës së jashtme.

“Është e rëndësishme që Kosova dhe Shqipëria të bashkërendojnë veprimet e tyre në shumë aspekte, ka aq shumë hapësirë ku mund të përmirësojmë  raportet tona bilaterale,  në aspektin ekonomik dhe në tregti, por mbi të gjitha ajo që diskutuam  ishte në raportet tona ndërkombëtare me shtet tjera, sepse një bashkërendim në politikën e jashtme në mes të   Kosovës dhe Shqipërisë   gjithmonë është  treguar i suksesshëm, kur ai ka qenë i sinqertë dhe në linjë të plotë  me interesin e shtetit tonë dhe interesat e qytetarëve tanë”, tha Osmani.

Osmani ka falënderuar, Bashën në lidhje me qëndrimin e tij dhe të PD-së sa i përket idesë së korrigjimit të kufijve, duke shtuar se është e rëndësishme që çdokush në Shqipëri të flas me zë të qartë në lidhje me këto ide.

“E falënderova Bashën për qëndrimin e tij dhe të Partisë Demokratike dhe  për kontributin e tij dhe zërin kundër ideve dhe aventurave të rrezikshme për ndryshim të kufijsh. Është shumë e rëndësishme që çdokush në Shqipëri të flas me zë po aq të qartë kundër ideve të tilla”, tha Osmani.