Osmani mirëpret thirrjen e ShBA-së ndaj Serbisë për t’i tërheqë trupat ushtarake rrotull kufirit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas thirrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Serbisë që t’i tërheqë trupat rrotull kufirit me Kosovën.

Osmani tha se e mirëpret deklaratën e administratës Biden që Serbia t’i tërheqë forcat nga kufiri, por edhe thirrjet e ShBA-së ndaj Serbisë që t’i mbajë përgjegjës ata që planifikuan dhe kryen sulmin kundër Policisë së Kosovës.

“Armët e fshehura në veri të Kosovës paraqesin rrezik të konsiderueshëm si për Policinë e Kosovës ashtu edhe për trupat e NATO-s në Kosovë”.

“ShBA-ja po punon me aleatët e NATO-s për të adresuar përpjekjet për të destabilizuar Kosovën dhe për të minuar sigurinë e të gjithë qytetarëve të saj”, tha Osmani.

Më tej, e para e shtetit tha se Kosova mbetet e përkushtuar për të punuar ngushtë me ShBa-në dhe aleatët e tjerë të NATO-s për të adresuar sfidat e sigurisë.