OVL UÇK dorëzon zyrtarisht kërkesën në Kuvend për ndryshimin e Ligjit për Specialen

Organizata e Veteranëve të Luftës e ka dërguar edhe zyrtarisht kërkesën në Kuvendin e Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Specialen, shkruan Fokusi.info.

Bazë e kësaj kërkese të OVL – UÇK-së është që Specialja të merret edhe me krimet e kryera nga serbët në Kosovë.

Nënkryetari i OVL-së, Nasim Haradinaj tha se edhe nëse ambasadat reagojnë në lidhje me këtë kërkesë, deputetët duhet të veprojnë sipas tij në anën e së drejtës.

“Kërkuam plotësim ndryshim, dhe besoj që secili individ është pro zbulimit të krimeve. Unë nuk besoj që ambasadat do të kenë reagim, mirëpo jo gjithherë duhet të bëjmë ata që thonë ambasadat. Ne gjithherë do të konsultohemi me miqtë ndërkombëtarë, edhe për Ligjin për Vlerat e Luftës”, tha ai, përcjell Fokusi.info.

Tutje, nëse një kërkesë e tillë nuk përfillet, Haradinaj tha se populli duhet të veprojë me votë, dhe të mos zgjedhë deputetët që sipas tij e duan gjykatën e njëanshme.

“Forma tjetër do të jetë e popullit. Unë besoj që edhe Lista Serbe duhet ta dëshmojë se a është për zbulimin e të gjitha krimeve në Kosovë. Populli duhet ta dëgjojë, të shoh dhe në zgjedhje të tregojë rezultatin. Nëse populli e do vetëm zbulimin e njëanshëm të krimeve, le t’i votojë të njëjtit deputet. Nuk jemi për Gjykatë të njëanshme”, tha Haradinaj.

Kjo është kërkesa e OVL UÇJK-së:

Për: Kryesinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës
GP: ______________________________________

Nga: OVL e UÇK-së, OJQ ”Shpresimi”, OJQ “Kujtimi” –Mitrovicë, Fondacioni Zyra për të burgosur e të zhdukur –Gjakovë, OJQ ”Loti dhe shpresa” –Kaqanik, OJQ ”Hulumtimi i të pagjeturve”, OJQ ”Zëri i Prindërve”-Mitrovicë, OJQ ”Kujtesa”-Malishevë, OJQ ”Pengu i lirisë”-Skenderaj, OJQ ”Perkor” –Besianë, Zyra për të burgosur e të zhdukur –Klinë, OJQ “Ankthi”-Dardanë, OJQ ”Lotët e Nënës”Gjilan, OJQ “ Martirët e lirisë”-Vushtrri, OJQ “Ngritja e zërit”,Skenderaj, OJQ ”Gratë e veja”Krusha e Madhe, OJQ “LICVL-Drenas, OJQ “Thirrjet e nënave”Gjakovë, OJQ”Yjet e Zemrës” –Ferizaj, OJQ”KLMDNJ”-Peje, OJQ “ Emina ” Mitrovicë, OJQ “SHpresa dhe Kujtimi” Fushe Kosove, OJQ “27 Prilli” Meje Gjakove, OJQ “ For New Life Kosova”

Lënda: Kërkesë për mbështetje të amandamentimit të Ligjit Nr.05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i miratuar me dt. 3 gusht 2015 dhe i publikuar me 31 Gusht 2015

Të nderuar,

Po ju shkruajmë me kërkesën për të amandamentuar Ligjin Nr.05/L-053 dt.31 gusht 2015 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që përmes këtyre amandamenteve do të plotësohet fushëveprimi i këtij ligji duke mos bërë dallime në trajtimin e pretendimeve të krimeve në baza etnike, si dhe garanton që dokumentet e kësaj gjykate do t’i takojnë arkivave të Republikës ashtu sikur thuhet në ligjet e funksionimit të këtyre Dhomave se janë pjesë e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe duhet t’i takojnë edhe historisë gjyqësore të shtetit tonë.

Propozim Amandamentimi:

Kuvendi i Republikes së Kosovës

Në mbështetje të Nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës
Amandamenton Ligjin Nr.05/L-053 dt.31 gusht 2015 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar;

Amandamenti 1:

Neni 1 paragrafi 3 ndryshohet dhe shtohet:
3. Mandati i Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar është që do të procedojë në mënyrë të pavarur, të paanshme, të drejtë dhe efikase edhe pretendimet për krimet e rënda të kryera gjatë luftës së Kosovës nga aparatura e shtetit serb, të policisë së Serbisë, të ushtrisë së Serbisë dhe forcave paramilitare serbe të cilat krime janë në fushëveprimin e këtij ligji, të drejtës penale pozitive vendore dhe të drejtës ndërkombëtare.

Amandamenti 2:

Neni 60 ndryshon:
pas fjalës alternative, fshihet pjesa tjetër dhe shtohet: me institucionet e Republikës së Kosovës

Amandamenti 3:

Neni 61 ndryshon:
Paragrafi 1:
rreshti i fundit: pas fjalës caktuar: fshihet fjala: jashtë
Paragrafi 4 :
në fund shtohet: në afatin prej 50 viteve.

Amandamenti 4.
Neni 62 paragrafi 1 ndryshon:
në fund fshihet fjala: nuk ekziston
Neni 62 shtohet paragrafi 3:

3. Arkivat e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar do të deponohen në Këshillin Gjyqësor të Republikës së Kosovës, do të ruhen dhe do te jenë të mbylluara sipas ligjeve në fuqi dhe vlejnë të njëjtat rregulla sikur ato të arkivave të gjykatava të tjera të Republikës së Kosovës.

Përveç këtyre amandamenteve, kërkojmë që:

– Kjo Gjykatë të ketë edhe një dhomë përfaqësuese në Kosovë me seli dhe adresë të caktuar, siç e ka të hapur edhe në Serbi.
– Meqenëse po thuhet se kjo Gjykatë në Hagë është e Kosovës, mbishkrimi i tabelës në ndërtesën e saj, duhet të ketë simbolin shtetëror të Kosovës, njëjtë si të gjitha Gjykatat e Kosovës.

– Organizatës së Veteranëve, t’i mundësohet me ligj, monitorimi i Zyrës për Koordinimin e Mbrojtjes Juridike për të Akuzuarit Potencialë nga Dhomat e Specializuara dhe Prokurori Special.

Kërkojmë që kërkesa të procedohet sa më shpejtë që është e mundshme, me procedura të përshpejtuara.

Prishtinë:
14 gusht 2020
______________Përfaqësuesi i OVL UÇK-së
______________Për Organizatat e lartëcekura