OVL UÇK: Kriminelët serbë shëtisin lirshëm, kurse gjykohen me akuza të rrejshme luftëtarët e lirisë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar lidhur me rastin e “Grupit Drenica”, ku dje u dërguan në vuajtje të dënimit, kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku e ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fadil Demaku, ndërsa sot arrestohen dhunshëm vëllezërit Driton, Agim e Selman Demaj në cilësinë e të dyshuarit.

“Neve si OVL UÇK, na brengos fakti që kriminelët serbë shëtisin lirshëm kudo në Kosovë dhe nuk gjykohen për krimet që i kanë bërë, por po gjykohen e denohen me akuza të rrejshme luftëtarët e lirisë”, thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

“Për më shumë se një dekadë, ishim dëshmitarë të dështimit total të drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë, e cila përmes mekanizmave të ashtuquajtur të drejtësisë, vazhdimisht ka organizuar komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe grupi i Drenicës janë dënuar pa prova materiale, me vetëm një deklaratë të një pale, e që është absurd i kësaj drejtësie, që fatkeqësisht po e zbaton drejtësia e Kosovës.

Dje u dërguan në vuajtje të dënimit, kryetari i komunës së Drenasit, Nexhat Demaku e ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fadil Demaku, ndërsa sot arrestohen dhunshëm vëllezërit Driton, Agim e Selman Demaj në cilësinë e të dyshuarit.

Neve si OVL UÇK, na brengos fakti që kriminelët serbë shëtisin lirshëm kudo në Kosovë dhe nuk gjykohen për krimet që i kanë bërë, por po gjykohen e denohen me akuza të rrejshme luftëtarët e lirisë”.